Rezerva Federale e SHBA-së rrit normat e interesit për herë të parë në 3 vite për të luftuar inflacionin! Parashikon 6 rritje të tjera në 2022

16/03/2022 20:02

Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara rriti të mërkurën normat e interesit me një çerek pikë përqindjeje dhe paraqiti një plan agresiv për të shtyrë kostot e huamarrjes në nivele kufizuese deri në vitin e ardhshëm, pasi shqetësimet për inflacionin e lartë dhe lufta në Ukrainë po kapërcejnë rreziqet e pandemisë së koronavirusit.

Banka Qendrore e SHBA-së, parashikoi ekuivalentin e rritjes së normës me çerek përqindje në gjashtë takimet e saj, gjë që do të shtynte normën e synuar të fondeve federale në një interval midis 1.75% dhe 2.00% në fund të vitit 2022.

Deri në fund të vitit të ardhshëm, norma e politikës monetare parashikohet të jetë 2.80%, mbi nivelin prej 2.40% që zyrtarët tani mendojnë se do të ngadalësojë ekonominë.

Megjithatë, një ngadalësim mund të jetë duke ardhur. Analistët e Fed ulën vlerësimin e tyre të rritjes ekonomike për vitin 2022 në 2.8%, nga 4% e parashikuar në dhjetor, pasi filluan të analizojnë rreziqet e reja me të cilat përballet ekonomia globale.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia po shkakton vështirësi të jashtëzakonshme njerëzore dhe ekonomike. Pushtimi dhe ngjarjet e lidhura me to ka të ngjarë të krijojnë presion shtesë mbi inflacionin dhe të rëndojnë aktivitetin ekonomik“, tha Fed në një deklaratë

Deklarata shënoi fundin e betejës së plotë të Fed kundër pandemisë, pasi rriti normën e fondeve federale dhe premtoi rritje të vazhdueshme për të frenuar normat më të larta të inflacionit në 40 vjet.

Rruga e normës së interesit e treguar në projeksionet e reja është më e ashpër se sa pritej, duke reflektuar shqetësimin e Fed për inflacionin që ka ecur më shpejt dhe ka kërcënuar të bëhet më këmbëngulës se sa pritej, e duke vënë në rrezik shpresën e bankës qendrore për një zhvendosje të lehtë nga politikat e emergjencës të vendosura për të luftuar pasojat nga pandemia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA