Një grup studentësh kanë marshuar këtë të martë drejt Kryeministrisë, ku protestuan për të gjashtën ditë kundër rritjes së çmimeve të hidrokarbureve dhe produkteve të shportës.
Edhe pse më të paktë në numër, protestuesit theksojnë se Paketa e Rezistencës Sociale e qeverisë nuk është masa e duhur, pasi është anashkaluar pjesa tjetër e popullsisë.
Qytetarët lajmëruan se nuk do të ketë protestë deri te shtunën, duke theksuar se afati i kërkesave të bëra publike të përmbushet deri në fundjavë nga qeveria.
Paraditen e kësaj të marte një grup studentësh me megafon ftuan të gjithë të rinjtë që të mblidhen në orën 16:30 për të marshuar drejt Kryeministrisë, me dëshirën e tyre që të rikthejnë protestat e vitit 2018. Një pjesë e vogël e tyre bojkotuan mësimin.
Edhe në Dibër, thirrjes së një grupi nga shoqëria civile për të protestuar kundër rritjes së çmimeve, iu përgjigjën disa qytetarë.
Kjo revoltë e qytetarëve erdhi pas rritjes së menjëhershme të çmimit të produkteve ushqimore dhe hidrokarbureve si efekt i luftës në Ukrainë.
Në mbledhjen e sotme, Bordi Kombëtar i Menaxhimit të Hidrokarbureve vendosi që çmimi i naftës dhe benzinës të shitet 211 lekë për litër.
Top Channel