Kërcënimet e shefit të Kremlinit, Vladimir Putin se do t`i mbyllë Europës rubintet e gazit, kanë shkaktuar një frikë aspak të pajustifikuar në Europë.
Më fort presionin e ndjen Gjermania. Sipas Agjencisë Federale të Rrjeteve, rreth 55 përqind e gazit të importuar aktualisht vjen nga Rusia, kështu që varësia është veçanërisht e lartë në krahasim me vendet e tjera europiane, me përjashtim të Hungarisë e cila importon rreth 85% të gazit nga Rusia.
Rezervat gjermane të gazit kanë rënë nën 30 për qind të kapacitetit të magazinimit. Për këtë arsye është duke u diskutuar edhe për rritjen e importit të gazit të lëngshëm (LNG, Liquefied Natural Gas).
Por cilat vende mund të konsiderohen si furnizues shtesë? E para, është SHBA-ja, një nga prodhuesit më të mëdhenj të gazit natyror dhe eksportuesit më të mëdhenj të gazit të lëngshëm në botë, duke i falënderuar edhe frakingut. Por kjo metodë është shumë e diskutueshme për arsye mjedisore. Procesi përfshin injektimin e një përzierjeje uji, rëre dhe kimikatesh në tokë, dhe kështu lirohet vaj ose gaz. Sakaq, Gjermania nuk do të përfitonte menjëherë nga ky gaz, sepse nuk ka asnjë terminal për LNG, thotë DW.Norvegjia është gjithashtu një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të gazit dhe ndërkohë furnizon rreth një të tretën e kërkesave të gazit të Gjermanisë. Por rritja e sasive të gazit nga Norvegjia nuk është e mundur, sepse nuk kanë rezerva.
Katari është një nga eksportuesit më të mëdhenj të gazit të lëngshëm, e krahas Rusisë dhe Iranit, ai ka rezervat më të mëdha të gazit natyror në botë. Por ky vend tashmë po prodhon në limitet e tij. Algjeria është gjithashtu një nga furnizuesit më të rëndësishëm të LNG për Evropën, por duhet të plotësojë një herë marrëveshjet kontratktuale dhe detyrimet e marra më parë.
Azerbajxhani, dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, planifikon sakaq të rrisë eksportin e gazit me 11 përqind këtë vit; problemi është që ky vend i Kaukazit është i lidhur me kontrata afatgjata që janë nënshkruar vite më parë.
Top Channel