Katër orë mbledhje me kryetarët e degëve të PD-së prodhoi mbështetje për Lulzim Bashën, duke i dhënë mundësinë e pasjes më shumë kohë në dispozicion, pse jo edhe një justifikim, për mos t’u dorëhequr nga drejtimi PD-së.
Kryetarët e degëve të PD në të gjithë Shqipërinë, të komanduar nga Lulzim Basha, nuk i kërkuan dorëheqjen, siç ndodhi të shtunën në mbledhjen e grupit parlamentar.
Përballë presionit nga një pjesë e grupit parlamentar për t’u dorëhequr Lulzim Basha ka përsëritur në këtë mbledhje, se ai është në dispozicion të zgjidhjes por nuk ka dhënë asnjë shenjë se ka ndërmend dorëheqjen.
“Jam në dispozicion të zgjidhjes. Zgjidhja është një proces“, u tha Basha kryetarëve të PD-së në rrethe.
Agron Kapllanaj, kryetar i komanduar në PD Fier është shprehur se “demokratët duhet të gjejnë një mekanizëm për t’u bashkuar”.
Sipas Ilir Koçia, kryetar i PD Kuçovë “Si mund të ikë Lulzim Basha dhe ta lërë PD-në në ciklonin e përplasjeve me Sali Berishën”?
Por i vetmi zë në këtë mbledhje, në mbështetje të dorëheqjes së Bashës ishte deputeti Lefter Gështenja, njëherazi kryetar i degës 7 Tiranë.
“Duhet të tërhiqeni që të dy, si dy njerëz që jeni përgjegjës për situatën e krijuar në PD. Unë personalisht jam gati të lë mandatin e deputetit nëse i shërben zgjidhjes së krizës në PD“, citohet të ketë deklaruar ai.
Top Channel