Kryedemokrati Lulzim Basha në mbledhjen e sotme me krerët e degëve është shprehur se është i gatshëm për të gjetur zgjidhjen për të dalë nga kriza ku ndodhet Partia Demokratike aktualisht, por nuk përmend mundësinë e dorëheqjes.
Duhet të tregojmë mençuri të bashkojmë PD-në, që të arrijmë sukses elektoral, ka thënë Basha, duke theksuar se nuk do të merret me një ‘non grata’ (Sali Berishën).
“Këtu nuk ndodhemi prej gabimeve por për shkak të vendimit të 9 shtatorit. Grupi i qëndroi vendimit të 9 shtatorit. E kuptojmë se nuk kemi shans me një ‘non grata’. Ajo që na vlen sot është një diskutim me përgjegjësi i kolegjit të kryetarëve pasi ky kolegj mban peshën më të madhe. Sfida është si t’i bëjmë bashkë këto 3 pjesë. 9 shtatorin nuk e zhbëjnë dot nëse nuk duam të zhbëjnë PD-në. Duhet të tregojmë mençuri të bashkojmë PD-në, që të arrijmë sukses elektoral.
Situata është eksplozive dhe detyra jonë është të jemi 1 orë e më parë në shërbim të njerëzve. Unë në shërbim të zgjidhjes kam vënë në dispozicion gjithçka”, është shprehur kreu demokrat.
Ndërsa kreu i degës Fier, Agron Kapllanaj në mbledhje ka hedhur idenë e krijimit të një komisioni të përbashkët për të bashkuar demokratët.
Nëse foltorja nuk pranon, komisioni drejton PD-në deri në zgjedhje, është shprehur ai.
“Vendimi i 9 shtatorit për Berishën nuk ndryshon. Ne duhet të gjejmë një mekanizëm për t’u bashkuar. Propozimet që ne bëjmë me ju i diskutojmë, por keni parë që nga ana tjetër të thotë dikush këto që po ju kërkojmë ne ju? Jo nuk ka, se kanë frike të flasin kundër Sali Berishës. Vendimi i 9 shtatorit për Sali Berishën nuk mund të ndryshojë”.
Sipas Kapllanajt, rruga më e thjeshtë është të hapet gara në PD, por kjo do ta dëmtonte më shumë të djathtën:
“Të lëmë datën e zgjedhjeve dhe të hyjmë në zgjedhje. A na bën mirë kjo? Mendoj se jo. A i bashkon demokratët? Jo, ndoshta do i dëmtoje më shumë, do çahet më shumë. Mund të ngremë një komision me 10 veta, dhe ne bëjmë një veprim për të bashkuar demokratët 5 anëtarë nga PD dhe i lëmë afat foltores të sjellë 5 vetat e vet. Natyrisht pa Berishën dhe Bashën. Nëse nuk vijnë, kjo strukturë të drejtojë PD-në për një periudhë kohe deri në procesin e ardhshëm zgjedhor”.
Ndërkohë, në mbledhjen e të shtunës në selinë blu, për herë të parë Lulzim Basha ka pranuar idenë e dorëheqjes, por me kushtin që asgjë të mos lëvizë nga vendimmarrja e 9 shtatorit. Një pjesë e mirë e drejtuesve janë të të njëjtit mendim.
Por, kritikët e rinj të Bashës, ata të pas 6 marsit , kanë ndryshuar mendim. Megjithëse nuk e thonë hapur, për ta rëndësi ka te ikë Basha së pari.
Ajo qe te dyja palët nuk pranojnë është se kjo përplasje e re, nuk është aq për largimin e kryetarit të Partisë Demokratike, sesa për rezistencën e asaj pjese të partisë që nuk do që Sali Berisha të rikthehet. Dhe ndërsa ketë rikthim pala tjetër e vë si kusht, kushti i Lulzim Bashës është krejt i kundërti.
Por, Lulzim Basha është i bindur se duke fituar kohë, gjendja do të qetësohet.
Top Channel