Çmimet e ushqimeve në mbarë botën mund të rriten deri në 20% si pasojë e luftës në Ukrainë, paralajmëron agjencia e ushqimit e OKB-së.
Në një vlerësim paraprak agjencia tha se nuk ishte e qartë nëse Ukraina do të ishte në gjendje të korrte të mbjellat gjatë konfliktit, ndërkohë që pasiguria shtohet gjithashtu edhe për eksportet ruse të ushqimit.
Rusia është eksportuesi më i madh në botë i grurit dhe Ukraina është e pesta më e madhe, sipas organizatës. Së bashku, ato sigurojnë 19% të furnizimit botëror të elbit, 14% të grurit dhe 4% të misrit, duke përbërë më shumë se një të tretën e eksporteve globale të drithërave.
Ndërprerjet në aktivitetet bujqësore të këtyre dy eksportuesve kryesorë të mallrave bazë mund të përshkallëzojnë seriozisht pasigurinë ushqimore në nivel global, tha Drejtori i përgjithshëm Qu Dongyu në një deklaratë.
Rreth 50 vende, duke përfshirë shumë nga vendet më pak të zhvilluara, varen nga Rusia dhe Ukraina për 30% ose më shumë të furnizimeve të tyre me grurë, duke i lënë ato veçanërisht të cenueshme. Numri global i njerëzve të kequshqyer mund të rritet me 8 deri në 13 milionë njerëz në 2022/23.
Top Channel