Kriza në PD/ Basha: Jemi në proces të thellë reflektimi, gati të bëj çdo gjë në interes të partisë

10/03/2022 10:25

Kryedemokrati Lulzim Basha tha për mediat këtë të enjte se është në proces të thellë reflektimi dhe se është gati të ndërmarrë çdo veprim në interes të PD-së.

Përmes kësaj, nënkuptohet se ai është i gatshëm të japë edhe dorëheqjen nga posti, e kërkuar nga shumica e grupit të PD-së.

Ai theksoi se mbledhjet në parti do të vijojnë, ndërsa të gjithë do të marrin përgjegjësitë për humbjen e thellë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, duke nisur nga ai vetë.

“Ka pasur një mbledhje të grupit të deputetëve që një ditë më pas, një mbledhje të grupit të kryetarëve, Kolegjin e Kryetarëve, do të vazhdojë me mbledhjen e Kryesisë. Pra jemi në një proces të thellë reflektimi pas të cilit pa diskutim do të marrim përgjegjësitë nga unë i pari.

Nëse unë tani paragjykoj se çfarë do të ndodhë pa folur me bashkëpunëtorët, me njerëzit. Aktualisht që flasim kryetarët e degëve kanë kontakt me strukturat në bazë, edhe deputetët po kështu. Pra, ne jemi në një proces reflektimi dhe që reflektimi të bëhet ashtu siç duhet duhet në radhë të parë të respektojmë ata njerëz të cilët kanë mendimet e tyre, sjellin mendimet e të tjerëve. Prandaj jemi në një proces që nisi që ditën pas 6 marsit, një proces që vazhdoi ditën tjetër dhe do të vazhdojë në ditët e ardhshme. Pra, është një proces i thellë reflektimi me një synim: Interesin më të mirë të demokratëve. Pra dalim, sepse duket qartë që një nga arsyet kryesore është përçarja dhe konflikti mes nesh. Unë jam gati të bëj çdo gjë në interesin më të mirë të Partisë Demokratike. Por, duhet të keni pak durim se t’i paraprijmë gjërave kur jemi në një proces reflektimi nuk është as e mençur..

Siç ua thashë që ditën pas 6 marsit ne kemi mbledhur strukturën e parë sepse ndodhi që e hëna ishte ditë parlamenti, mblodha  të nesërmen Kolegjin e Kryetarëve, do të mbledhim edhe Kryesinë ndërkohë vetë Kolegji i Kryetarëve ka dashur të jetë në kontakt me strukturat, deputetët kanë kërkuar të jenë në kontakt me strukturat. Pra, jemi në një proces reflektimi të brendshëm, disa prej tyre kanë kërkuar edhe analizë specifike për 6 bashkitë. Ju siguroj që demokratët do të marrin në dorë fatet e tyre, Partia Demokratike do të dalë nga ky proces e fortë dhe e bashkuar. Ky është synimi dhe në funksion të saj që pa diskutim që  detyra dhe përgjegjësia e parë është e imja dhe unë jam i gatshëm të ndërmarr çdo hap që Partia Demokratike të jetë e fortë, e bashkuar dhe të dali nga 6 marsi, nga humbja e 6 marsit të mos humbi mësimin e madh  të 6 marsit që është domosdoshmëria për të qenë sa më të fortë dhe sa më të bashkuar përballë këtij regjimi. Sot po diskutohet për Komisionin e Inceneratorëve,  shpresoj t’i japin një vëmendje se është bërë gjithë ajo punë dhe e meriton, Partia Demokratike, anëtarët tanë të komisionit, qytetarët e meritojnë transparencën në Komisionin e Inceneratorëve. Ndërkohë po bëhet nami me naftën dhe i pari i qeverisë ia ka mbathur për në Dubai. Të merremi me këto. Procesi i reflektimit nisi dhe do të vazhdojë”, tha Basha.

Partia Demokratike ndodhet në një krizë identiteti tashmë, ndërsa dhanë dorëheqjen nga postet që mbanin në PD Grida Duma, Agron Gjekmarkaj dhe Flutura Açka.

Ende nuk dihet nëse do të ketë largime të tjera në vijim, ndërsa shumica e mbështetësve të Bashës, pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 6 marsit, po i kërkojnë atij dorëhqjen.

Ferdinand Xhaferraj dhe Ervin Salianji qëndrimin e mbajtur gjatë takimit të mbajtur në seli, e bënë publik edhe në rrjetet sociale. Kërkohet largimi i Bashës dhe një lider i ri politik brenda grupit parlamentar.

tashmë nuk ka vetëm një lëvizje të jashtme jashtë PD-së me në krye liderin historik, Sali Berisha, por edhe një lëvizje të brendshme.

Kreu i PD-së vijon të mos pranojë humbjen e thellë në zgjedhjet e pjesshme vendore, ku jo vetëm nuk mundi të marrë asnjë bashki, por u rendit forcë e tretë me më pak vota se koalicioni i Sali Berishës me LSI-në dhe PDK-në.

Zgjedhjet e 6 marsit kishin një vlerë të madhe për elektoratin demokrat, ku pritej të tregohej mbështetja e demokratëve të cilët prej muajsh tashmë janë ndarë në dy fronte, ata që mbështesin Bashën dhe grupi mbështet Berishën.

Partia Socialiste arriti të merrte pesë nga gjashtë bashkitë në garë, Vorën, Rrogoshinën, Dibrën, Lushnjën dhe Durrësin, ndërsa koalicioni “Shtëpia e Lirisë” fitoi në Shkodër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA