Shqetësimit të qytetarëve për rritjen e çmimit ta naftës, iu bashkua edhe ish zëvendës-kryeministri socialist Erion Brace duke kërkuar, reagim më të fortë nga instancat shtetërore duke e vendosur theksin tek Autoriteti Konkurrencës, me një bord shumë-partiak por që drejtohet nga një socialist.
“Të rritet çmimi nga darka në mëngjes me 400 lekë (40 lekë) dhe Autoriteti Konkurrencës të rrijë të bëj sehir kjo është ca të them. Ju e dini qëndrimin tim për ndryshimet e bëra në Autoritetin e konkurrencës. E sidomos pas çështjes së famshme të çmimit të grurit dhe miellit për bukë. Me atë autoritet unë kam ndërprerë çdo lloj marrëdhënie e kështu publike”, tha Braçe.
I shquar si një politikan rebel e protestues kur gjërat nuk shkojnë mirë, Erion Brace foli për nevojën e më shumë kujdesi, nga qeveria për disa kategori të shoqërisë shqiptare:
“Jam një nga ata që jam kundër prekjes së taksave me presion në rrugë sepse politika fiskale nuk bëhet në rrugë. E mbi të gjitha transferimi përgjegjësisë sociale nga shteti tek tregtarët për me tepër që tregtarë që abuzojnë për mua është e papranueshme. Përgjegjësi sociale për shtresat në nevojë, për të varfrit për punëtorët për bujqit për shtresën e mesme pjesërisht duhet ta mbajë shteti. Nuk mund ta mbajnë tregtarët aq më tepër tregtarë që abuzojnë apo janë të integruar vertikalisht nga shumica deri te pakica”.
Deputeti Brace u distancua nga protesta qytetare. Kjo është arsyeja:
“Më vjen keq pash dje njerëz atje nga sëra jonë sëra e politikanëve që mbajnë përgjegjësi shumë të rëndë për atë që ka ndodhur në tregun e hidrokarbureve mbi të gjitha në industrinë e naftës për vite me radhë. Ka ty njerëz që kanë dhënë kontribut domethënës në grabitjen e vendburimeve më të naftës e gazit në këtë vend. Pash banditë rrugësh me Roleks nga 10 mijë euro në dorë e me xhupa nga 1.000 euro të ngrohtë e që dalin atje e thërrasin Shqipëri Etnike”.
Një tjetër socialist i vjetër si Fatmir Xhafaj, iu bashkua shqetësimit për të përpjetën e çmimit të karburanteve.
“Po sigurisht që po. Ka ndonjë shqiptarë që nuk është i shqetësuar? Qeveria besoj se është duke e parë problemin dhe besoj që do të reagojë”, tha Xhafaj.
Pyetje-E keni ndjerë rritjen?
“Më fal, kur thatë për qytetarët shqiptarë unë ku bëj pjesë nuk bëj pjesë ke qytetarët shqiptarë”, u përgjigj ai.
Përballë kësaj situate, kur pakënaqësia e qytetarëve po shprehet përmes protestave, kryeministri Edi Rama ka ftuar shqiptarët në një bashkëbisedim online pyetje përgjigje. “Le të dëgjojmë njëri-tjetrin” shkruan kryeministri duke ia dedikuar këtë bashkëbisedim krizës ndërkombëtare të energjisë dhe impaktit të luftës mbi naftën.
Top Channel