Fitorja në Bashkinë e Shkodrës dhe mundja e Lulzim Bashës janë të mjaftueshme për Sali Berishën për të pretenduar karrigen e kryetarit të partisë. Betejë, të cilën është i bindur se është fituar jo vetëm ndaj Lulzim Bashës.
Berisha: Unë kam bërë fushatën më intensive ndonjëherë. U detyrova ta bëj këtë jashtë dëshirës sime. Për ata që i njohin zgjedhjet ky ishte personalizimi. Meqë Edi Rama mori në mënyrë primitive logon dhe ia dha pengut të tij dhe meqenëse zonja guvernatori i lejoi vetes të ndërhyjë në mënyrë brutale kundër Sali Berishës, doja t’u thoja zgjedhësve ja unë jam Sali Berisha.
Në një kohë që ish lideri demokrat po përgatit rikthimin e tij në Partinë Demokratike duket se mbi zyrën e Lulzim Bashës po bie një zjarr i kryqëzuar, edhe nga një lëvizje e re që synon jo vetëm largimin e tij. Gjatë pasdites te së mërkurës, kryedemokratin e braktisi dhe ish bashkëpunëtorja e tij e afërt në bashki, deputetja e matit Dhurata Cupi. por Grida Duma duket se po merr drejtimin e kësaj goditjeje të re nga brenda, duke tundur si flamur, dorëheqjen e saj nga posti i nënkryetares së atij që e quan dështaku në krye të PD-së.
Grida Duma: Megjithëse personalisht nuk kam asnjë përgjegjësi në vendimmarrje dhe ia kam shkruar e lënë të dokumentuara vendimet e dëmshme sot deklaroj që jap dorëheqjen si Nën/Kryetare e Partisë Demokratike, duke qenë ky vetëm një prej vendimeve të domosdoshme për demokratët. Partia Demokratike nuk mund të jetë humbëse se duhet që dështaku të fitojë e përfitojë.
Por a është largimi nga Basha, afrim me Berishën, sidomos pas deklaratave të Dumes në Kuvendin e 18 Dhjetorit?
Grida Duma: Partia Demokratike fatkeqësisht nuk e ndihmon dot Sali Berishën për harakirin që ai na ftoi ti bashkohemi sepse Sali Berisha s’ka asgje me për të humbur, por Partia Demokratike nuk mund të humbasë çdo gjë për egon e pakufijshme te tij.
Por, një tjetër shenjë se armiqtë e Bashës, tashmë i afron largimi i tij nga kreu i PD-së, Sali Berisha la një shteg të hapur për bashkëpunim me të gjithë deputetët rebelë të cilët janë sot kundër Bashës, përfshirë edhe Grida Dumën.
Berisha: Mirëpres çdo deklaratë të deputetëve, mirëpres bashkimin e tyre me grupin e deputetëve të Komisionit të Rithemelimit dhe i garantoj qe ky bashkim ka në bazë vlerësimin e palëkundur të kontributeve në PD, në Kuvendin e 22 marsit çdo njeri do ketë të drejtën të kandidojë për organet e PD me kushtin e vetëm të pranojë votën e lirë të demokratëve.
Top Channel