Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova në një postim të saj në faqen e ambasadës ruse në Facebook, ka akuzuar Greqinë, ku sipas saj, po zhvillohet një fushatë e paprecedentë antiruse, duke theksuar ndër të tjera se “zyrtarët e lartë të Athinës i lejojnë vetes të bëjnë akuza të rënda kundër Rusisë dhe lidershipit të saj”.
“Europa, përfshirë Greqinë, është regjistruar plotësisht në radhët e avokatëve të Kievit, ndërsa histeria rusofobike e kultivuar nga autoritetet ka arritur pikën kulminante.
Dërgimi i armëve në Ukrainë është tërësisht i gabuar, pasi armët do të kthehen kundër civilëve, përfshirë homogjenëve grekë, të cilët po përdoren si mburoja njerëzore nga batalionet nacionaliste ukrainase dhe që tashmë kanë rënë viktimë e kësaj taktike çnjerëzore “-thekson ajo.
Duke vazhduar me gjuhën e ashpër, Zakharova thotë se Athina mbështet aktivisht sanksionet e BE-së, me direktivën kolektive të Brukselit, qielli grek u mbyll për linjat ajrore ruse,ndërsa duke dhënë urdhër për të pezulluar të gjithë bashkëpunimin në fushën e kulturës, udhëheqja greke është gati të fshijë trashëgiminë e përbashkët historike.
“Koha do të vendosë gjithçka në vendin e vet, do të tregojë se kush kishte të drejtë dhe kush në momentin kritik, tregoi mungesë mprehtësie, bëri zgjedhjen e gabuar”, përfundon zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse.
“Deklaratat e fundit e Maria Zakharova, si dhe postimet e ambasadës ruse në Athinë, fatkeqësisht janë të papranueshme, ato nuk janë në përputhje me praktikën diplomatike, si dhe me lidhjet historike që bashkojnë popujt e Greqisë dhe Rusisë“-ka qënë përgjigja e zëdhënësit të ministrisë së Jashtme greke i cili ndër të tjera në deklaratën për shtyp thekson:
“Politika e jashtme greke është një politikë parimore dhe bazohet gjatë gjithë kohës në respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare. Greqia bashkëvendos dhe respekton vendimet e marra në Organizatat Ndërkombëtare në të cilat ajo merr pjesë, ndër të tjera, BE dhe NATO”.
Top Channel