Luftime të ashpra janë shënuar herët në mëngjes në një hapësirë të madhe nga veriu në perëndim të Kievit.

Sipas raportimeve armiku është duke shkatërruar Bucha-n, Hostomel-in, Vorzel-in dhe Irpin-in.

“Ata vrasin qëllimisht civilë”, tha kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitaly Klitschko.

Raporte të shumta flasin për zjarr të fortë në të katër qarqet të hënën, ndërsa civilët vazhdojnë të ikin nga luftimet.

Ne po bëjmë gjithçka në kryeqytet për të mbështetur qytetin, për të krijuar një rezervë me ushqime, ilaçe dhe mallra thelbësorë. Ne po shpërndajmë dhe ofrojmë ndihma për ata që kanë më shumë nevojë sot. Ndihma humanitare u dërgua edhe në Chernihiv, një qytet në veri të Kievit”, shtoi Klitschko.

Ai shtoi se, “ne po përpiqemi të dorëzojmë në Bucha dhe Hostomel. Ne po formojmë ngarkesa humanitare për disa qytete të tjera. Kryeqyteti po përgatitet për mbrojtje. Unë u kërkoj të gjithë banorëve të Kievit të ruajnë qetësinë, të qëndrojnë në shtëpi ose, në rast alarmi, në strehimore”.

Kryetari i bashkisë së Hostomel-it, Yuriy Prylypko, u vra ndërsa “u shpërndante bukë të uriturve dhe ilaçe të sëmurëve, duke ngushëlluar të dëshpëruarit”, sipas faqes së qytetit në median sociale Facebook. Edhe dy persona të tjerë u vranë së bashku me të.

Kjo është dita e dymbëdhjetë e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Sipas OKB-së, 1.5 milionë ukrainas janë larguar nga vendi dhe mbi 11 mijë ushtarë rusë kanë humbur jetën. Ndërsa, 364 civilë ukrainas janë vrarë nga sulmet e vazhdueshme ruse që prej 24 shkurtit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA