Kryeministri Australian, Scott Morrison foli më herët për Rusinë dhe Ukrainën, por e përdori këtë konflikt edhe si paralajmërim të qartë për vendet e tjera lidhur me kërcënimin që paraqet sipas tij Kina.
“Pushtimi rus ishte një thirrje zgjimi për Europën, por ai është thjesht “shembulli i fundit i një regjimi autoritar që kërkon të sfidojë status quo-në përmes kërcënimeve dhe dhunës”, tha Morrison. Edhe pse e nuk e përmendi drejtpërdrejt Kinën, konteksti ishte i qartë: qeveria e tij në fakt, ka paralajmëruar prej vitesh për agresionin në rritje të regjimeve autokratike.
“Demokracitë perëndimore duhet t`i kishin hapur sytë e të ishin të bashkuara në qasjen e tyre. Gjërat tani po shihen qartë: bota është në rrezik të riformëzohet nga një ‘hark autokracie’,”tha Scot Morrison
Morrison përdori të njëjtën gjuhë për të përshkruar Rusinë ashtu si dhe Kinën si kombe që përdornin “bullizmin dhe frikësimin”.
Që nga viti 2017, Australia ka shprehur gjithnjë e më shumë shqetësim për ndikimin e Kinës në rajonin Indo-Paqësor. Kryeministri Australian i kërkoi hapur Pekinit t`i bashkohet përpjekjeve për të ndaluar pushtimin e Moskës në Ukrainë. Kina, që mban lidhje të ngushta me Rusinë, ka refuzuar ta dënojë sulmin dhe i ka kërkuar vendeve perëndimore që t’i respektojnë ato që i quan “shqetësimet legjitime” të Rusisë për sigurinë.
Top Channel