Kandidatja e PS për Bashkinë e Durrësit, Emiriana Sako ka votuar në një nga qendrat e votimit në Durrës.
Pas votimit, dha një prononcim të shkurtër para mediave duke thënë:
“Shpresoj të jetë një proces që do të shkojë mirë deri në fund të ditës. Përfitoj nga rasti që të ftoj qytetarët e Durrësit që të marrin pjesë në zgjedhje”.
Qytetarët shqiptarë votojnë sot për të zgjedhur kryetarët e rinj në gjashtë bashkitë e vendit.
654,538 votues në Durrës, Shkodër, Dibër, Lushnje, Rrogozhinë e Vorë janë thirrur për të zgjedhur kryetarët e bashkive të tyre që do të kenë një mandat 1-vjeçar.
Sipas KQZ, janë 10,134 zgjedhës që votojnë për herë të parë. Si në çdo proces zgjedhor, votimi do të nisë në orën 7 për të përfunduar në orën 19:00. E vetmja bashki e përzgjedhur për të votuar elektronikisht, do të jetë Vora.
Përveç Dibrës, kandidatët potencialë përballë njëri-tjetrit janë 3, të PS, PD dhe koalicionit Shtëpia e Lirisë, i udhëhequr nga ish kryeministri Berisha.
Nisur nga historiku i zgjedhjeve, veç Shkodrës ku në 30 vite bashkia është drejtuar vetëm nga e djathta, 5 bashkitë e tjera janë drejtuar herë nga e majta e herë nga e djathta.
Shkodra duket edhe përballja më e vështirë për t’u parashikuar. Të dielën do të vendoset nëse ajo do të vazhdojë të qëndrojë djathtas, apo do t’i bashkohet hartës me 60 bashkitë e tjera që drejtohen nga socialistët, pas bojkotit të zgjedhjeve nga opozita.
Top Channel