Qytetarët e gjashtë bashkive u janë drejtuar qendrave të votimi për të zgjedhur kryetarin e tyre të bashkisë, për një mandat 1-vjeçar. Pjesëmarrja më e lartë e votuesve u shënua në Dibër. Ku 37.17% e qytetarëve u janë drejtuar kutive të votimit, për të zgjedhur kryebashkiakun me mandatin pothuajse të papërfillshëm.
Pas Dibrës, i renditur me pjesëmarrje më të lartë është ai i Vorës, ku 34.22% e qytetarëve kanë zgjedhur të shprehin të preferuarin e tyre me anë të votës.
Lushnja vjen e treta nga renditja me 31.27% pjesëmarrje, ndjekur nga Rrogozhina me 26.31%.
Kurse pjesëmarrja më e ulët e votuesve, deri në këtë orë, u shënua në Shkodër me 22.88% të qytetarëve dhe në Durrës me 21.52%.
Ka nisur prej orës 07:00, të mëngjesit të sotëm procesi i votimit për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki të vendit.
Në listat e votimit janë rreth 654 mijë shtetas shqiptarë me të drejtë vote që janë ftuar të marrin pjesë në votime për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive në Vorë, Rrogozhinë, Lushnjë, Shkodër, Dibër dhe Durrës.
KQZ ka bërë me dije se janë mbi 10 mijë zgjedhës që votojnë për herë të parë. Votimi po zhvillohet normalisht, me përjashtim të disa qendrave, kryesisht në Shkodër ku nuk është bërë e mundur votimi për shkak të motit të keq me dëborë.
Ndërkohë që në tre qendra votimi, një në Dibër dhe dy në Durrës ka patur incidente, ku nuk kanë munguar as konfrontimet fizike.
Në këto zgjedhje garojnë kandidatë të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, me përjashtim të Dibrës ku krahas kandidatëve të tre subjekteve të mësipërme kandidon edhe një kandidat nga një forcë e katërt politike.
Top Channel