Në emisionin Fiks Fare raportohet nga qytetarët për një masakër mjedisore. Ata dërgojnë edhe foto ku duken qartë pisha të prera në pyllin që i përket fshatit Samurr në Elbasan.
Gazetarët e Fiksit sollën pamje të pyllit, ku dhjetëra pisha ishin të prera dhe të shkulura.
Kur gazetarët shkojnë në këtë zonë filmojnë trungje pemësh të prera, pisha të shkulura dhe të sapo prera, të cilave ju ishte prerë vetëm gjysma e trungut dhe pjesa tjetër ishte e thyer.
Gazetarët e Fiksit takojnë edhe banorë të zonës. Ata rrëfejnë se kjo masakër mjedisore me prerjen e pishave duke zbathur të gjithë pyllin bëhet natën. Njerëzit që e bëjnë këtë punë thonë banorët hiqen sikur bëjnë pastrimin e pyllit ! Por në fakt janë duke e masakruar atë. Gjithashtu banorët thonë se nuk kanë dijeni se kush janë këta njerëz dhe se ku shiten pemët e prera.
Gazetarët e fiksit i drejtohen për informacion Drejtorisë Pyjore Elbasan. Në përgjigjen e kthyer nga drejtori i këtij institucioni thuhet .”Në lidhje me ngjarjen për prerjen që ka ndodhur në ngastrën numër 114/a të ekonomisë pyjore Zaranikë është prone private e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Dhe nuk është nën administrimin e Bashkisë Elbasan.
Me sa kemi dijeni policia po monitoron situatën dhe është nen ruajtje për gjetjen e autorit. Pasi nuk lejohet prerja e këtij pylli pa leje, leje e cila merret nga pronari duke arsyetuar përse do ta presë këtë pyllë, dhe vetëm nëse ka arsye të përligjura për të dhënë lejen .
Ndërkohë përfaqësuesi i Kryegjyshatës, Olsi Karaj tha për Fiksin që jam i lumtur që po merreni me këtë çështje, pasi kemi pasur gjithmonë probleme në atë zonë edhe për shkak të rrugës së fshatit që kalon mes për mes pyllit, duke bërë kështu më të lehtë për banorët prerjen e pyllit.
Ai thotë çështja është në polici, por nuk është hera e parë, pasi dhjetëra herë është denoncuar kjo problematikë por asnjëherë nuk janë gjetur autorët. Rrallimi nëpërmjet prerjes thotë z.Karaj ka bërë që të bëhen edhe shkulje të shumta nga era.
Top Channel