Ukraina dhe e gjithë Europa përjetoi momente paniku në mesin e lajmeve se bombat ruse kanë goditur impiantin bërthamor Zaporizhzhia, më i madhi në kontinentin e vjetër.
Një zjarr i fuqishëm shpërtheu paskëtaj në një objekt të impiantit të përdorur për trajnime, duke ngjallur frikë për atë çfarë mund të pasonte. Ekipet e zjarrfikësve nuk po afroheshin në zonë në momentet e para, për shkak të breshërisë së plumbave e predhave ruse.
Fatmirësisht, zjarri u arriti të vihej nën kontroll duke shmangur kështu atë që presidenti Volodymi Zelensky tha se do të kishte qenë një katastrofë “10 herë më e madhe se ajo e Cernobilit”.
Zelensky: “Kompleksi më i madh nuklear i Europës u përfshi nga flakët. Rusët qëllimisht hapën zjarr drejt 6 reaktorëve të tij duke përdorur tanke të pajisura me imazhe termike. Krahasuar me katastrofën globale të Cernobilit në 1986, pasojat e një shkrirjeje në Zaporizhzhia do të ishin shumë më të rënda. Po pati shpërthim këtu, merr fund gjithçka, merr fund Europa”.
Kompleksi tashmë është në duart e forcave ruse, por stafi ukrainas po kujdeset që situata nëpër reaktorë të mos dalë jashtë kontrollit. Liderët botërore e akuzuan ashpër Rusinë duke thënë se po rrezikon sigurinë e një kontinenti të tërë.
Presidenti amerikan Joe Biden e nxiti Moskën të ndalojë menjëherë aktivitetin ushtarak në këtë zone teksa SHBA vendosi të aktivizonte ekipin e reagimit bërthamor; kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se këto sulme të tmerrshme duhet të marrin fund tani, dhe shefi i ekzekutivit britanik, Boris Johnson tha se nga situata të tilla, rrezikohen të gjithë. Centrali në Zaporizhia plotëson rreth 25 për qind të nevojave të Ukrainës për energji elektrike.
Top Channel