Majlinda Angoni e Partisë Socialiste, do të tentojë të kthejë historinë në një bashki që për tre dekada ka zgjedhur të drejtohet vetëm nga të djathtët.
61 vjeçarja, e cila zotëron disa biznese, vjen nga shoqëria civile. Pak ditë pas zyrtarizimit të kandidaturës, Angoni dha dorëheqjen si prefekte e Shkodrës.
Partia Socialiste e ka marrë seriozisht betejën për Shkodrën, duke angazhuar në krah të kandidates Angoni ministra dhe eksponentë të rëndësishëm të mazhorancës.Damian Gjiknuri, Etilda Gjonaj dhe Olta Xhaçka janë caktuar që të ndjekin dhe mbështesin fushatën e zonjës Angoni në Shkodër. Pra, një fushatë qartazi e pabarabartë që shikon të angazhuar fortë Ministren e Jashtme në një garë ku demokratët i gjen të ndarë më dysh mes Lulzim Bashës dhe foltores së Sali Berishës.
“Ndihem vërtetë e nderuar dhe e privilegjuar që jam caktuar nga Partia Socialiste për të punuar në Shkodër dhe për të mbështetur këtë fushatë, e së bashku me ju Majlindën” u shpreh Olta Xhaçka, Ministre e Mbrojtjes
Por, për Majlinda Angonin nuk po bën fushatë vetëm partia që ajo përfaqëson. Partia Demokratike ka denoncuar me anë të një videoje se për kandidaten e majtë po bën fushatë një tjetër “non grata” si Tom Doshi. Një eksponent që zyrtarisht është jashtë koalicionit me Partinë Socialiste, por, hija e ndikimit të tij në administratën dhe institucionet shkodrane nuk është zbehur kurrë.
Kandidatja e së majtës në Shkodër ishte e vetmja nga tre pretendentët për kryetar bashkie që pranoi të rendisë për Top story se çfarë u premton ajo me këtë mandat të cunguar.
“Prioritetet e mia janë pastrimi i qytetit, zhvillimi i turizmit, më shumë mundësi për të rinjtë” u shpreh Majlinda Agoni,
E vetëdijshme për kohën e shkurtër, por, ajo thotë se i mjafton për të treguar se çfarë do të bëjë.
“300 ditë nuk janë pak, mund të bëhen shumë gjëra dhe unë mbeshtetjen e kam” u shpreh Majlinda Agoni, kandidatet për Kryetare Bashkie, Shkodër
Fjalimet e eksponentëve të qeverisë dhe Partisë Socialiste nxjerrin në pah pabarazinë e fushatës. Mazhoranca, premton investime të rëndësishme në Shkodër, por kushti duket të jetë vota për Angonin.
“Po ju them një gjë qytetarëve të Shkodrës që ta mbajnë shënim, Shkodra ka pasur mbështetje, por çfarë mbështetje do të ketë Shkodra nuk krahasohet shkodrës me mbështjen dhe investime që do të ketë Shkodra pasi në zyrë e bashkisë të ulet një grua si Majlinda
“Iu them po, nuk do të mungojë mbështetja po fitoi Majlinda Angoni” u shpreh Damian Gjiknuri, Sekretar i Përgjitshëm, PS
Majlinda Angoni vjen nga biznesi privat. Referuar deklaratës që ka dorëzuar në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurive ajo zotëron disa prona me vlerë të konsiderueshme si troje, apartamente, magazine etj. Në vitin 2020, Majlinda Angoni ka deklaruar rreth 21 mijë metra katrorë pyll, 6 mijë metra katrorë truall ndërtimi me vlerë mijëra euro, pasuri e cila ndahet 50 % me 50 me bashkëshortin e saj.
Po ashtu ajo është pronare e disa magazinave, e dy apartamenteve me 50%. Edhe bashkëshorti i saj zotëron një listë të gjatë pronash të patundshme. Majlinda Angoni ishte pronare e kompanisë “Venice Art” të cilën ia shiti bashkëshortit kur mori detyrën si prefekte. Ajo ka deklaruar blerjen e një mjeti luksoz tip golf për 27 mijë euro.
Top Channel