Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi një takim me Ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, për të diskutuar mbi situatën aktuale dhe ecurinë e pritur ekonomike të vendit.

Në këtë takim u vlerësuan rreziqet me të cilat mund të përballet ekonomia shqiptare, në vijim të përshkallëzimit të konfliktit Rusi-Ukrainë, si dhe masat e nevojshme për përballimin e situatës. Ndikimi i këtij konflikti në ekonominë botërore ka filluar të jetë i dukshëm, si në drejtim të rritjes së çmimeve të disa artikujve bazë, ashtu dhe në drejtim të rritjes së pasigurisë së investitorëve dhe të tregjeve financiare.

Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë po punojnë,me intensitet dhe përgjegjshmëri, për të vlerësuar ekspozimin ekonomik, tregtar e financiar të Shqipërisë ndaj vendeve të përfshira në konflikt, si dhe ndikimin e pritur të këtij konflikti në të ardhmen. Vlerësimet e deritanishme sugjerojnë se shëndeti ekonomik dhe financiar i vendit mbetet solid dhe impakti i pritur i tensionit gjeopolitik pritet të jetë i kufizuar dhe i administrueshëm.

Më konkretisht, Banka e Shqipërisë vlerëson se – në tërësinë e tij – ekspozimi direkt tregtar dhe ekonomik i Shqipërisë ndaj Rusisë dhe Ukrainës është i ulët. Po ashtu, stabiliteti ekonomik dhe financiar i vendit është ikonsoliduar. Kursi i këmbimit shfaqet i qëndrueshëm dhe rezerva valutore mbetet në nivel të mjaftueshëm. Në veçanti, veprimtaria e sektorit bankar zhvillohet në mënyrë normale, me tregues të mirë kapitalizimi, likuiditeti dhe performance, si dhe ekspozim të ulët ndaj rajonit në konflikt.

Testet tona paraprake të rezistencës tregojnë se ekonomia shqiptare ka hapësira të mjaftueshme për t’u rezistuar goditjeve të mundshme që vijnë nga ekspozimi direkt me vendet në konflikt. Këto goditje mund të burojnë nga reduktimi apo ndërprerja e flukseve tregtare, nga rritja e çmimeve për produkte të caktuara apo nga rritja e pasigurisë në tregjet financiare ndërkombëtare. Në rast se konflikti mbetet i përmbajtur, në dimensionet e tij kohore dhe gjeografike, këto goditje do të lenë vetëm gjurmë kalimtare në aktivitetin ekonomik dhe në inflacion.

Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndanë opinionin se vëmendja e politikës monetare dhe fiskale duhet të orientohet drejt ruajtjes së ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit, duke përdorur instrumentet dhe hapësirën e mjaftueshme në dispozicion për të zbutur goditjet e mundshme. Në vijim, të dy institucionet u shprehën të gatshme të ndërmarrin çdo veprim të nevojshëm për të minimizuar efektet negative të mundshme. Veprimi i koordinuar do të jetë vendimtar për të zbutur rreziqet dhe për të lundruar më të sigurt në periudhën sfiduese që vjen.

Po ashtu, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndanë opinionin se situata duhet të vijojë të monitorohet me kujdes. Përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës dhe zgjerimi potencial i konfliktit në vende të tjera do të prodhonte një realitet të ri ekonomik dhe do të kërkonte marrjen e masave më gjithëpërfshirëse për administrimin e situatës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA