Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kredibilitetit “Moddy’s” rikonfirmon vlerësimin e ekonomisë shqiptare në “B1 – me perspektivë të qëndrueshme”, në rifreskimin e publikuar së fundmi.
Agjencia vlerëson se rimëkëmbja ekonomike ishte e fortë, me bazë të gjerë dhe ndryshe nga sa pritej fillimisht, me një rritje prej 8.9% në 2021, ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto arriti nivelin para pandemisë, që në tremujorin e dytë të 2021. Ndër faktorët që mbështetën rritjen, agjencia nënvizon se ka qenë politika fiskale dhe ajo monetare. Agjencia pret që rritja e PBB-së të jetë e qëndrueshme në vijim, me 4.5% në 2022 dhe 4.0% në 2023, duke u mbështetur nga rimëkëmbja e mëtejshme në sektorin e turizmit, si dhe kërkesa e brendshme e qëndrueshme.
Agjencia vlerëson se barra e borxhit të qeverisë, pasi u rrit ndjeshëm, duke arritur pikun prej 77.6% të PBB në vitin 2020, u ul lehtë në 77.5% të PBB në vitin 2021 dhe do të vijojë trajektoren e saj rënëse në periudhën 2022 – 2023. Parashikohet një rënie graduale e deficitit fiskal dhe borxhit publik ndaj PBB-së. Agjencia parashikon ngushtimin e deficitit fiskal në 4.6% të PBB në vitin 2022 dhe 3.5% të PBB në 2023, ndërsa parashikon se borxhi publik ndaj PBB të vijojë në trajektoren rënëse në vitin 2022 dhe 2023, duke zbritur në respektivisht 75.7% dhe 74.7% të PBB.
Agjencia parashikon që inflacioni i çmimeve të konsumit të mbetet mbi 3% në gjysmën e parë të 2022 dhe më pas të ulet në 2.5% në fund të vitit.
Agjencia gjithashtu pret që sektori bankar në Shqipëri dhe risku i likuiditetit të qeverisë të mbeten të përmbajtura dhe deficiti i llogarisë korente të ngushtohet në vazhdimësi, në 5.6% të PBB-së në vitin 2023, nga 8.8 % e PBB-së në vitin 2020.
Prespektiva e qëndrueshme mbështetet gjithashtu nga vazhdimësia e politikave, veçanërisht në kontekstin e reformave, në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, si dhe imbalancave të jashtme në nivele të moderuara.
Agjencia vlerëson se risku kryesor negativ për perspektivën tonë ekonomike mund të vijë nga zhvillimet e pandemisë, si dhe prej shkallës relativisht të ulët të vaksinimit. Gjithashtu një konflikt i zgjatur Rusi-Ukrainë do të paraqiste një risk shtesë për parashikimet e agjencisë, pasi çmimet më të larta të energjisë dhe/ose dobësimi i besimit të biznesit dhe konsumatorëve mund të sjellin një ndikim negativ pët ekonominë vendase.
Megjithatë agjencia vlerëson se ekspozimi i Shqipërisë ndaj Rusisë, prej ndërvarësisë energjetike apo tregtisë, është i ulët dhe po kështu edhe ndaj ndërprerjeve tregtare, pasi eksportet e mallrave drejt Rusisë dhe Ukrainës përbënin respektivisht 0.01% dhe 0.14% të totalit të eksporteve në 2020.
Top Channel