SpaceX, kompania hapësinore amerikane e Elon Musk ka dërguar disa pajisje në Ukrainë për t’u lidhur me Starlink, me qëllimin për t’i ofruar akses në internet përmes satelitit.
Kompania nuk ka dhënë shumë detaje të tjera, por synon që përmes kësaj linje Ukraina të ketë mundësi të komunikojë nëpërmjet internetit edhe në rastet kur kufizohet shërbimi i tij për shkak të dëmtimit të linjave tradicionale.
Më 26 shkurt, zëvendëskryeministri i Ukrainës, Mykhailo Fedorov shkroi në Twitter, duke i kërkuar ndihmë Musk: Ndërsa ju po përpiqeni të kolonizoni Marsin, Rusia po përpiqet të pushtojë Ukrainën. Ndërsa raketat tuaja zbarkojnë me sukses në Tokë nga Hapësira, raketat ruse sulmojnë popullsinë ukrainase. Ne kërkojmë ndihmën tuaj që të furnizoni terminalet Starlink në Ukrainë.
Më pas, Musk iu përgjigj Fodorovit, duke i thënë se Starlink ishte aktiv dhe i arritshëm në Ukrainë dhe se do dërgoheshin disa terminale të reja për t’u krijuar akses në internet.
Disa ditë më vonë, Fedorov postoi në Twitter një fotografi që tregonte një kamion të ngarkuar me terminale Starlink, disa paketa që përfshijnë një antenë dhe një lloj ruteri. Është e paqartë se sa pajisje janë dërguar nga SpaceX, por as se si do të përdoren nga qeveria apo populli i Ukrainës.
Siç raportoi një inxhinier komunikimi nga Kievi në faqen e teknologjisë The Verge, deri pak ditë më parë Starlink nuk mund të përdorej nga Ukraina. Sistemi është në fakt ende në zhvillim dhe nuk është i pranishëm në të gjitha zonat gjeografike, pasi kërkon disa stacione marrëse në terren për të funksionuar. Pas kërkesës së qeverisë ukrainase dhe frikës për ndërprerje të mundshme të internetit, duket se SpaceX ka përshpejtuar procesin e aktivizimit të shërbimit në Ukrainë.
Starlink është një nga projektet më ambicioze të SpaceX dhe sipas Musk mund të bëhet gjithashtu një nga bizneset më fitimprurëse të kompanisë së tij hapësinore. Plani parashikon sjelljen e mijëra satelitëve të vegjël në orbitë afër Tokës, në mënyrë që të krijohet një plejadë që siguron gjithmonë praninë e të paktën një sateliti mbi pjesën e territorit në të cilin ndodheni.
Nëpërmjet një sistemi të caktuar, i cili përbëhet nga një modem dhe një antenë e vogël satelitore, mund të lidhesh me internetin pa pasur aspak nevojë për t’u lidhur përmes një rrjeti kabllor apo celular.
Deri tani, SpaceX, ka dërguar rreth 2 mijë satelitë në orbitë për Starlink, por brenda pak vitesh synon të çojë edhe disa mijëra të tjerë, duke i krijuar lidhjet më të qëndrueshme dhe më të shpejta. Kompania është shprehur se ka të paktën 145 mijë përdorues aktivë dhe muajt e fundit ka rritur prodhimin e terminaleve.
Në ditët e fundit, sulmet ruse kanë dëmtuar shumë sektorë në Ukrainë, mes tyre edhe telekomunikacionin. Të martën, më 1 mars, një sulm dëmtoi rëndë antenën kryesore për transmetimin e sinjalit televiziv në Kiev, duke vrarë gjithashtu pesë persona.
Sulmet e mëtejshme ndaj linjave të komunikacionit, mund t’i bëjnë të papërdorshme rrjetet celulare dhe lidhjet e internetit. Megjithatë, falë tij, që nga dita e parë e sulmit në Ukrainë, institucionet dhe popullata ukrainase kanë mundur të koordinojnë aktivitetet e tyre ushtarake dhe mbrojtëse, por edhe i kanë treguar botës përmes videove dhe fotove se çfarë realisht po ndodh atje.
Një zgjidhje si ajo e Starlink mund të krijojë akses të vazhdueshëm në komunikim edhe në skenarin më të keq, pavarësisht se nuk mund të zëvendësojë plotësisht rrjetet tradicionale, siç janë ato kabllore dhe celulare.
Top Channel