Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ripërsëritur apelin drejtuar kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore për të njoftuar me shkrim zgjedhësit e bashkive Shkodër, Durrës, Lushnjë, Rrogozhinë, Vorë, Dibër ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme të datës 6 mars 2022.
“Jemi 5 ditë para datës së zgjedhjeve dhe raportimet në KQZ tregojnë se bashkitë Shkodër dhe Rrogozhinë janë shumë larg plotësimit të këtij detyrimi që buron nga Kodi Zgjedhor, sikundër bashkia Dibër ka njoftuar të gjithë zgjedhësit e saj në masën 100%”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, mosnjoftimi i zgjedhësve më shkrim lidhur me informacionin zgjedhor (qendrën e votimit, adresën dhe vendndodhjen e QV, numrin rendor në listën e zgjedhësve) sankasionohet me masë administrative sipas ligjit.
“KQZ konstaton me shqetësim se në seancat e trajnimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka marrë pjesë një numër jo i plotë i anëtarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit që do të angazhohen në zgjedhjet e pjesshme të datës 6 mars 2022”, vijon njoftimi.
KQZ i bën thirrje partive politike që të garantojnë pjesëmarrjen e plotë të komisionerëve të propozuar prej tyre. Gjithashtu, KQZ u drejtohet edhe vetë komisionerëve që të marrin pjesë në Trajnimet e KQZ-së, pasi trajnimi është me rëndësi jetike për mbarëvajtjen e procesit të votimit.
Top Channel