Pushtimi i Putinit në Ukrainë po ndryshon rrënjësisht pikëpamjet europiane, pasi një sondazh i publikuar nga televizioni finlandez “YLE” ka zbuluar se shumica e popullsisë së vendit janë në favor të anëtarësimit në NATO, dhe kjo ndodh për herë të parë në histori.
Sipas sondazhit të kryer javën e kaluar, me një kampion përfaqësuesish prej afro 1400 personash, 53% e finlandezëve tani mbështesin pranimin e Finlandës në NATO, me 28% kundër dhe 19% të pasigurt.
Në vitin 2017, herën e fundit që hulumtuesit e tregut të “YLE” anketuan për të njëjtën pyetje, vetëm 19% e finlandezëve ishin në favor të anëtarësimit në aleancë, ndërsa një sondazh për transmetuesin privat “MTV” në janar tregoi se vetëm 30% mbështetën anëtarësimin.
Juho Rahkonen, drejtori i kërkimit të sondazhit, tha se e përshkroi ndryshimin në opinionin publik si radikal dhe historik. “Në thelb, përqindjet e atyre që janë në favor të anëtarësimit në NATO dhe atyre kundër kanë ndryshuar,” tha Rahkonen.
Pushtimi i Rusisë ka rritur gjithashtu mbështetjen për anëtarësimin në NATO në Suedi, me një sondazh të porositur javën e kaluar nga transmetuesi publik suedez SVT që tregoi 41% pro dhe 35% kundër. Sondazhi finlandez sugjeroi se nëse Suedia do të aplikonte për t’u bashkuar me aleancën, mbështetja për anëtarësimin finlandez do të rritej në 66%.
Finlanda, një pjesë autonome e perandorisë ruse për më shumë se një shekull deri në vitin 1917, ndan një kufi 1,340 km (833 milje) me Rusinë, më i gjati i çdo shteti të BE-së. Megjithëse jo anëtare, Finlanda dhe Suedia bashkëpunojnë ngushtë me NATO-n, duke lejuar, ndër të tjera, trupat e aleancës të ushtrohen në tokën e tyre.
Rusia paralajmëroi javën e kaluar se nëse secili prej vendeve do të kërkonte të bashkohej me aleancën, ata do të përballeshin me “pasoja të rënda ushtarako-politike” nga Moska.
Top Channel