Bashkëshortja e vrasësit shqiptar të mësueses britanike mbante zi për Sabina: Më mirë të më kishte vrarë mua (fotot)

26/02/2022 15:38

Në pamjet e kamerave të homazheve për mësuesen britanike Sabina Nessa dy javë pas vrasjes makabre, shihej dhe një grua që qante me dënesë dhe ngushëllohej nga miqtë.

Sot e përditshmja Daily Mail zbulon se emri i gruas që qante në homazhet në Eastburne, ishte Ionela Selamaj, bashkëshortja rumune  e vrasesit shqiptar Koci Selamaj që dje në gjykatë pranoi aktin makabër me motivim seksual.

“U takuam rastesisht në homazhe”, kujton mikesha e saj që e ngushëllonte Jonelën.

“Ajo u mbajt në shpatullën time dhe unë e përqafova. Qau gjithë mbrëmjen, më pas shkuam në bregdet dhe hodhëm lule në ujë”.

“Ajo vijonte të thoshte se nuk e kuptonte çfarë kishte pasur me Sabinan dhe se do të kishte pasur më shumë kuptim nëse do të kishte vrarë atë vetë”, tregon gruaja.

Ionela, pastruese dhe part-time kërcimtare, e cila ishte martuar tre vjet më parë me vrasësin në Eastburne, e kishte njohur më herët sjelljen e pakontrolluar të bashkeshortit shofer shpërndarjeje.

“Ajo na tha se muajt e fundit ishte bërë i dhunshëm”, thotë një mikeshë e gruas nga Rumania, gjatë një video-telefonate pas arrestimit të tij.

“Tre herë ishte përpjekur ta mbyste. Një ditë ishte kthyer nga puna  dhe pas një argumenti i kishte vendosur duart në fyt. Ajo kishte frikë se do të vdiste, por diçka ndodhi dhe ai ndaloi”.

Herën e fundit që 36-vjeçari sulmoi Ionela ajo u tmerrua aq shumë sa vendosi ta linte. Kjo ndodhi gjashtë javë para vrasjes.

Ndërsa në ditën kur ai më vonë do të vinte në Londër për të vrarë Sabina, ai kërkoi takim me gruan e tij në parkingun e hotelit ku ajo punonte.

Bashkëshortja nuk e dinte që ai kishte rezervuar një dhomë në hotel. “Ai i kërkoi të takoheshin te parkingu, pa i treguar që kishte marrë nje dhomë në hotelin ku ajo punonte”, thotë mikesha e gruas.

“I kishte kërkuar të bënin seks por ajo kishte refuzuar, ishte kthyer më pas në dhomë dhe më pas ishte nisur për në Londër”.

Disa orë pas këtij takimi Selamaj kishte vrarë Sabina. Ai kishte marrë më pas makinën e tij Nissan Micra dhe u kthye në hotel, ku kaloi natën.

Nëntë ditë më pas ai u arrestua nga policia, e cila bastisi apartamentin e tij në Eastbourne ku më parë jetonte me gruan.

Tashmë Ionela beson se është me fat që është ende gjallë, por nuk kalon dot ndjenjën e fajit që nuk arriti të bënte gjë për ta ndaluar.

Çertifikata e martesës thotë se çifti u lidhën në  2018. Selamaj nuk e kishte plotësuar hapësirën ku duhet të shkruante ‘profesioni’, ndërsa gruaja e tij e përshkruante veten si ‘punonjëse lavazhi’.

Asnjë nga çifti nuk flisnin gjuhën e njëri-tjetrit, por komunikonin kryesisht në italisht, pasi të dy e flisnin mirë.

Marrëdhënia e tyre duket se është përkeqësuar vitin që shkoi, kur Selamaj vinte gruan nën presion për t’u vendosur në Londër, duke thënë se kishte gjetur punë atje. Ai shpërndante pica për restoratin Domino’s.

Vrasja makabre e mësueses 28 vjeçare britanike është ende e paqartë për motivimin, por prokurorët thonë se akti i Selamaj i paramenduar, në stil predator, dhe përfshinte elemente sadiste e seksuale.

Vrasja e Sabina ndodhi mbrëmjen e të premtes 17 shtator, kur ajo doli nga blloku i apartamenteve ku banonte në Kidbrooke, në juglindje të Londrës.

Ajo kishte ardhur në zonë disa muaj më herët për t’u vendosur pranë punës së saj si mësuese e shkollës fillore Rushey Green.

Babai i saj Abdur Rouf, dhe e ëma Azibun Nessa, kishin ardhur në Londër nga Bangladeshi në vitet 1980, dhe lindën katër vajza, mes të cilave Sabina ishte e dyta.

FOTO GALERI
1/8
Ionela Selamaj, bashkëshortja rumune e vrasesit shqiptar qante në homazhet në Eastburne

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA