Pushtimi i Ukrainës nga Rusia në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjte ka dhënë tashmë pasojat e para në ekonomi. Çmimi i naftës dhe arit u rritën ndjeshëm, por edhe vlera e dollarit, ndërkohë që në bursën e Moskës u vendos ndalimi i tregtisë për gjithë ditën e enjte.
Niveli i lartë i pasigurisë po ndikon në ecurinë e bursave, duke filluar me ato në Azi që arritën në minimumin e tyre që nga viti 2020, kur u përhapën lajmet e para për pandeminë e koronavirusit.
Çmimi i naftës arriti në 100 dollarë për fuçi për herë të parë që nga vitit 2014 dhe ka pasur rritje të reja për gazin natyror, nga i cili Rusia është furnizuesi kryesor i vendeve evropiane. Ari arriti në një nivel të ri pas rritjes së çmimit të tij në fillim të vitit 2021.
Bursa e Ëall Street dhe Indeksi i Aksioneve Teknike Nasdaq përfunduan të mërkurën duke humbur përkatësisht 1.38 dhe 2.57 për qind. Sipas analistëve, pas një kolapsi fillestar, stoqet do të rriten sërish në javët në vijim, pasi të sqarohen synimet e Rusisë përveç ndërhyrjes ushtarake.
Në Tokio, indeksi kryesor i tregut të aksioneve u mbyll me 1.3 për qind, ndërsa indeksi australian humbi 3 për qind dhe ai i Koresë së Jugut 2.6 për qind. Bursa e Hong Kongut humbi 3.4 për qind dhe ajo e Shangait 1.7 për qind. Në orët në vijim priten humbje nga indekset kryesore të aksioneve të bursave evropiane.
Ndër lëndët e para që duhen vëzhguar më me kujdes është gazi, çmimi i të cilit ka ndikuar ndjeshëm në koston e energjisë në pjesën më të madhe të Evropës.
Indeksi kryesor i referencës regjistroi një rritje prej 41 për qind, duke konfirmuar rritjet që u vunë re gjatë javëve të fundit.
Rubla, monedha ruse, ka arritur nivelin më të ulët të historisë ndaj dollarit, duke humbur më shumë se 7 për qind. Për një dollar duhen 87.66 rubla, në fund të 2021 duheshin rreth 73. Në orët e para të së enjtes, euro humbi 0.55 për qind kundrejt dollarit dhe 1 për qind kundrejt jenit, monedhës japoneze.
Top Channel