Në Shqipëri, veprimtaria e brokerimit, është rregulluar për herë të parë me ligjin e vitit 2008 “Për Titujt”. Ky ligj ishte në fuqi deri në vitin 2020 kur u miratua ligji i ri “Për tregjet e kapitalit”. Referuar Direktivës së Bashkimit Europian, Bordi i Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, përmes një vendimi të posaçëm ka specifikuar se veprimtaria e agjentit të brokerit konsiderohet e lidhur me transaksionet e titujve.
Mandej është miratuar Rregullorja e 2019ës, “Për veprimtarinë e agjentit të shoqërisë së brokerimit në tituj”. Ky akt nënligjor rregullon veprimtarinë e agjentit, pra operatorit të call-centerit që afron klientët. Në këtë mënyrë, bëhet ndarja nga veprimtaria e brokerimit në tituj, pra shit-blerja që realizohet në bursa.
Prej vitit 2020 është në fuqi edhe rregullorja “Për regjistrimin dhe veprimtarinë e agjentit të lidhur të shoqërisë komisionere”. Rregullorja përcakton detyrimet e shoqërisë komisionere, në emër të së cilës vepron agjenti, si edhe mbikëqyrjen e veprimtarisë.
Në rregullore, veprimtaria e agjentit është e kufizuar vetëm në promovimin e shërbimeve të investimit të shoqërisë komisionere. Në asnjë rast, ky aktivitet nuk është i lejuar nëse shoqëria komisionere nuk është e licensuar në Shqipëri apo në një nga vendet e BE.
Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare sqaron për Top Story se një numër mjaft i kufizuar subjektesh janë regjistruar për të ushtruar aktivitetin e agjentit të lidhur, të pajisur me kontratën përkatëse me një shoqëri komisionere të licencuar. Këtu fjala është për aktivitet legal dhe jo për call-centerat mashtrues.
Gjatë vitit të fundit, AMF ka çregjistruar tre shoqëri që operojnë si agjentë të lidhur si dhe ka pezulluar aktivitetin e një shoqërie tjetër. Vendimet janë marrë për shkak se subjekteve u ka përfunduar kontrata e lidhur me shoqëritë komisionere që operojnë në Bashkimin Europian.
Bëhet fjalë për heqjen e njohjes dhe çregjistrimin si agjent i lidhur i brokerit të huaj të kompanive Vertex Securities dhe Eurotrade Securities. Në të njëjtën kohë është pezulluar për një afat tremujor kompania Prodata Securities. Në tetor të vitit të kaluar, AMF i kishte hequr licencën si agjent i lidhur i brokerit të huaj edhe shoqërisë “OnTop-Securities”.
Referuar të dhënave nga QKB, Vertex Securities dhe Eurotrade Securities janë kompani me kapital shqiptar, ndërsa Prodata Securities është kompani me kapital të huaj, e zotëruar nga RDA Services Limited. Sipas regjistrit të pronarëve përfitues, bie në sy fakti se pas kësaj kompanie qëndrojnë tre shtetas izraelitë, Uri Fremder, Daniel Fremder dhe Ron Fremder.
Kompani të tilla veprojnë si agjentë të platformave të huaja të investimit. Ato kanë aktivitet ofrimin e marketingut me qëllim promovimin e shërbimeve të investimit dhe instrumenteve financiare të ofruar nga një broker i licencuar. Call centerat funksionojnë si kompani marketing, ndërmjetësimi që të lehtësojnë përthithjen e klientit potencial përmes telefonit dhe kanë në fokus kryesisht shtetasit e huaj.
Por, shumë prej këtyre kompanive, edhe pse në dukje të ligjshme shpesh operojnë si të njëjtët mashtrues që zbuluam në pjesën e parë.
Top Channel