Në një tjetër episod që përshkruhet në dosjen hetimore një shtetas gjerman kishte transferuar 255 mijë euro në llogari të ndryshme të platformës fx-leader.com. Transferta ishte bërë drejt call-centerit “Capital SHPK 1001” me adresë në rrugën Him Kolli.
Kjo kompani, ka administrator sërish një shtetas izraelit të quajtur Omer Peer dhe ka të njëjtën adresë me kompaninë “RG CAPITAL SHPK” të drejtuar nga Rafael Genish. Kjo shton dyshimet se pas të dyja kompanive qëndron e njëjta dorë, apo I njëjti grup personash. Brenda një kohe të shkurtër kohore këto kompani kanë përfituar vlera monetare të konsiderueshme nga shoqëri të huaja në Litenshtein, Letoni, Bullgari, Danimarkë, etj. Fonde të cilat transferohen drejt shoqërive të tjera kryesisht të huaja ose tërhiqen cash nga personat e autorizuar.
“I duhen kontaktet. Listat duhet të jenë të mbrojtura. Ato ofrohen nga punonjës që kanë kontakt të përditshëm me këto lista. Të kompromentuar, të paguar këta punonjës nxjerrin informacionin” u shpreh Armando Vushi, ekspert IT.
“Ka shumë të ardhura dhe është shumë i rrezikshëm. Nëse dikush mund të hyjë dhe të demaskojë ose tu prishë punë, është e rrezikshme. Sepse eksponentët që janë brenda kanë goxha fuqi ekonomike dhe politike” u shpreh Vjoldi Danaj, ekspert ekonomie.
Miliona euro të përfituara nga mijëra njerëz të mashtruar nëpër botë, ky aktivitet kriminal nuk është sporadik në Shqipëri, por i konsoliduar. Një aktivitet kriminal që pastron paratë lehtësisht. Nuk dihet me saktësi sa subjekte të tillë ushtrojnë aktivitet kriminal, por janë me qindra të tillë në skuta të fshehura apo edhe në ambjente të dukshme. Edhe nëse janë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kanë mashtruar për aktivitetin konkret që kryejnë. Ka dëshmi se ekzistojnë edhe subjekte të caktuara që operojnë duke mashtruar edhe shtetas shqiptarë, brenda kufijve, të cilët janë raportuar pranë institucioneve kompetente, por këto të fundit nuk i kanë bërë publike.
“Sot që kemi Bitcoin, këto investime transformohen në kriptomonedha dhe gjurmueshmëria e gjithë procesit është e pamundur. Këta njerëz janë ekspertë në këtë gjë dhe nuk kapen ose nuk është dëshira për ti kapur” u shpreh Vjoldi Danaj, ekspert ekonomie.
“Nuk ka call center në Shqipëri që mashtron shqiptarët, por aktivitetin mashtrues nuk e zhbën dot” u shpreh Artan Gjergji, ekspert për tregjet
“Nuk do ta quaja as fat të mirë as fat të keq që ka apo jo viktima me shtetësi shqiptare duke qenë se ne ndërveprojmë me qytetarët europianë dhe qytetarë të botës. Duke qenë se krimi kibernetik nuk ka juridiksion, unë viktimën do ta mendoja njësoj. Pasojat në ekonomi duhet të jenë të mëdha pasi është një treg informal i cili qarkullon vetëm para nga aktivitete kriminale që do të detyrohet të pastrohet brenda vendit” u shpreh Hergis Jica, shefi hetimit kibernetik.
Aktualisht, grupi hetimor po vijon me veprime të tjera për të faktuar dyshimet për pastrimin e parave nga dy kompanitë izraelite të kapura me mashtrim. Për të bërë këtë, është e nevojshme të zbulohet përfituesi fundor se ku shkojnë paratë.
“Forex klasifikohet në ekonomi si paratë e ardhura nga droga dhe rrugë të tjera jo ligjore. Ku këto bëhen me objekt vetëm mashtrimin. Janë aktivitete jo ligjore. Arrijnë ti pastrojnë paratë e tyre. Janë njerëz shumë të fuqishëm. Përflitet se mbas tyre qëndrojnë eksponentë të politikës ose edhe disa sipërmarrës që call centerin nuk e kanë më biznes dytësor, por parësor dhe bizneset e ligjshme i kanë dytësorë” u shpreh Vjoldi Danaj, ekspert ekonomie.
“Vlerat monetare të fituara nga ky subjekt vinin nga shtetas jashtë Republikës së Shqipërisë dhe këto vlera monetare vinin si pjesë e një aktiviteti criminal. Mendojmë që janë vlera të konsiderueshme dhe patjetër që shërbejnë për pastrim parash. Por kjo vjen pasi të provohet vepra kryesore që është mashtrimi kopjuterik që është provuar” u shpreh Hergis Jica, shefi i hetimit kibernetik.
Top Channel