Në dhjetor të vitit 2021 Policia e Shtetit realizoi një operacion duke goditur një call center mashtrues në Tiranë që operonte prej 5 vitesh. Bëhet fjalë për kompaninë “RG Capital”. Administrator ishte shtetasi izraelit Rafael Genish, i cili u vu në pranga bashkë me 37 punonjës të kompanisë, që nga krijuesit e rrjetit kompjuterik e deri te operatorët e thjeshtë.
Top Story ka siguruar dosjen e plotë që zbulon në detaje skemën masive të mashtrimit përmes së cilës janë grabitur miliona euro.
“Kemi një listë me mbi 3 mln persona të huaj që po e provojmë nëse kanë rënë viktima apo jo” u shpreh Hergis Jica, shefi hetimit kibernetik
Për të bërë pre të mashtrimit viktimat, vihet në lojë faqja e internetit “fx-leader , e cila merret në mënyrë fiktive me biznes në fushën e transaksioneve financiare me të ashtuquajtura opsione binare. Për këtë qëllim krijohen posaçërisht call centerat, me anë të të cilëve “klientët” kontaktohen nga një konsulent financiar personal për ti joshur që të bëjnë investime të mëdha.
Sapo viktima regjistrohej në platformën e mashtrimit me emër, mbiemër, e-mail dhe numrin e telefonit, operatorët e kontaktonin menjëherë dhe kështu krijohej një bazë besimi me “klientin” e pretenduar.
Fillimisht viktimat tundohen të investojnë në sasi të vogla me premtimin se brokeri apo ndërmjetësi i pretenduar i faqes së investimeve, do të realizojë një fitim të madh me investimin e aksioneve dhe kriptovalutave. Të gjitha fitimet, humbjet stimulohen virtualisht. Një algoritëm përkatës bën që fitimet imagjinare të fillimit ti shtynë personat për të investuar shuma të mëdha parash. Sipas qëllimit fillestar, sistemi është i ndërtuar në mënyrë të tillë, që ti mbajë varur personat e prekur derisa tu kenë zhvatur mjaftueshëm para’. Në momentin që personi i prekur ngulmon që të marrë fitimet e tij apo depozitat, kjo gjë nuk është e mundur dhe mashtruesit zhdukin çdo gjurmë duke mbyllur faqet e internetit.
“Teknologjia përdoret si fasad për të bërë më të besueshëm mashtrimin. Mashtrimi është mirëfilli psikologjik. Implementimet teknologjike janë karemi. Mashtrimi është i thjeshtë” u shpreh Armand Vrushi, ekspert IT.
Skema mashtruese e kompanisë së drejtuar nga izraeliti Rafael Genish u zbulua pas sinjaleve nga autoritetet gjermane. Pasi është analizuar një llogari bankare nga policia shqiptare është arritur të identifikohet se është bërë një përpjekje për të transferuar shumën prej 11 mijë e 525 eurosh në llogarinë e call cenetrit RG CAPITAL SH.P.K.
Policia ka kërkuar dhe verifikuar në QKB se call centeri RG CAPITAL është i regjistruar me niptin përkatës dhe objekti i aktivitetit është “Konsulencë, Telemarketing, tele-shitje, formim professional dhe trajnim personeli, etj. Pra, kompania Forex kamuflohej si call-center legal por në të vërtetë nuk rezultonte e licensuar nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare. Referuar materialeve hetimore që Top Story disponon, grupi hetimor vendosi përgjues brenda ambjenteve të kompanisë ku u faktua aktiviteti real I operatorëve. Po ashtu, siç shihni në këto foto, operatorët dhe menaxherët e kompanisë survejoheshin gjatë gjithë kohës.
Më datë 15.11.2021 është marrë autorizimi nga prokurori për kryerjen e përgjimit fotografik me video dhe audio në amjentet e brendshme të subjektit RG CAPITAL. Ky veprim u krye në bashkëpunim me Inspektoriatin Shëndetësor Shtetëror dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme. Nga përgjimi rezultoi se:
Në këtë subjekt zhillohej aktivitet call center.
Kishte disa ambiente ku punohej dhe secili ambjent kishte përgjegjësin e tij i cili drejtonte punonjësit.
Në ambientet e punës u konstatuan administratori shtetasi Rafael Genish, shtetasja Donalda Kajo drejtoreshë e Burimevbe Njerëzore, shtetasi Eljon Pirani IT i subjektit dhe në zyrën e tij ishte edhe serveri i kësaj kompanie.
Janë marrë foto nga të gjitha ambientet e punës.
Nga këto me interes për hetimin tonë ka qenë një foto e marrë nga një kompjuter ku duket qartë një platformë me të cilin punonin e cila quhej Investing.com
Gjatë hyrjes në objekt punonjësit u gjendën në vendin e tyre.
U konstatuan 62 persona që punonin në këtë objekt.
Top Channel