Kryeministri Edi Rama po dëshmon sot në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve.

Rama e nisi mëngjesin e kësaj të mërkure me një postim, duke i paraprirë dëshmisë, ku shkruan se gangrenat e plehrave të Elbasanit, Fierit, Durrësit e Tiranës u shëruan përfundimisht përmes impianteve moderne të përpunimit të mbetjeve.

“MIRËMËNGJES

dhe me gangrenat e fushëkodërplehrave të Elbasanit, Fierit, Durrësit e Tiranës, të cilat i shëruam përfundimisht, përmes impianteve moderne të përpunimit të mbetjeve, ju uroj një ditë të mbarë

SOT NË 12:00 DO TË DËSHMOJ PARA KOMISIONIT HETIMOR PARLAMENTAR – LIVE FB

Mezi po pres”, shkruan Rama.

Vetë kryeministri një ditë më parë nga Durrësi tha se me këtë komision që u ngrit, u krijua mundësia për ata që duan të dëgjojnë dhe jo të shikojnë.

Opozita i ka quajtur një aferë kriminale inceneratorët në vendin tonë, ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha pak ditë më parë kërkoi përkushtimin e deputetëve dhe të kenë vëmendjen maksimale ditën që do të dëshmojë në Komisionin Hetimor kryeministri i vendit.

Hetimet janë një përpjekje për të hedhur dritë mbi dyshimet se zyrtarë të lartë kanë abuzuar me fondet publike në miliona euro me tre incineratorët e mbetjeve urbane në Elbasan, Tiranë dhe Fier.

Deri më tani në komision kanë dëshmuar emra të qeverisë socialiste, si ministrja Belinda Balluku; ministri Arben Ahmetaj; Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi.

Po ashtu para komisionit kanë dhënë dëshmi edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj; kryetarja e bashkisë së Durrësit, Valbona Sako; kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja si dhe kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA