BE-ja sanksionon zyrtarë qeveritarë dhe ligjvënës rusë

23/02/2022 20:03

Sanksionet e Bashkimit Evropian kanë hyrë në fuqi më 23 shkurt, teksa blloku evropian iu kundërpërgjigj agresionit rus ndaj Ukrainës, duke sanksionuar zyrtarë qeveritarë, ligjvënës dhe biznese ruse.

Sanksionet kanë në shënjestër 27 individë dhe entitete, përfshirë ministra, zyrtarë të lartë ushtarakë, kompani dhe biznesmenë, për rolin e tyre në “kërcënimin e integritetit territorial” të Ukrainës, tha BE-ja në një deklaratë.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, një këshilltar i presidentit, Vladimir Putin, dhe të gjithë 351 ligjvënësit që votuan për njohjen e pavarësisë së rajoneve lindore ukrainase Donjeck dhe Luhanks, janë në mesin e të sanksionuarve.

Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve të individëve dhe entiteteve të sanksionuar dhe po ashtu individët e sanksionuar nuk do të mund të udhëtojnë në BE.

Në deklaratën e BE-së u tha se blloku mund të vendosë sanksione të reja nëse Putin nis një sulm apo dërgon trupa më tej në Ukrainë. Ministrja gjermane e Jashtme, Annalena Bearbock tha se sanksionet e BE-së janë “hapi i parë”, duke shtuar se do të ketë edhe sanksione të tjera.

BE-ja vendosi sanksionet një ditë pasi Putin përshkallëzoi tensionet, pasi njohu pavarësinë e Donjeskut dhe Luhanskut, rajone që kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

BE-ja tha se ministri Shoigu u sanksionua sepse “nën komandën dhe urdhrat e tij, trupat ruse mbajtën stërvitje ushtarake në Krimenë e aneksuar në mënyrë të kundërligjshme dhe u pozicionuan në kufij”, raportoi AP.

“Në fund të fundit, ai është përgjegjës për çdo veprim ushtarak ndaj Ukrainës”, u tha në listën e sanksioneve, që e ka parë agjencia Associated Press.

Shefi i stafit të Putinit, Anton Vaino, po ashtu është sanksionuar. Vaino ka luajtur rol aktiv në procesin e marrjes së vendimeve në Kremlin dhe po ashtu thuhet se ai ka ndikuar në vendimet e Putinit.

Sanksionet po ashtu kanë shënjestruar bankat dhe financat e forcave të armatosura ruse. Ato po ashtu shënjestrojnë aftësinë e Moskës që të ketë qasje në kapitalin e BE-së dhe në tregjet financiare si dhe në shërbime. Po ashtu, sanksionet e BE-së kanë për synim të godasin aftësinë e Rusisë që të bëjë tregti me dy rajonet në lindje të Ukrainës.

Bashkimi Evropian kishte vendosur sanksione edhe më 2014, kur Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë.

Për shkak të vendimeve të fundit të Putinit, Shtetet e Bashkuara më 22 shkurt njoftuan për vendosjen e sanksioneve ndaj dy bankave ruse, sanksione që kanë për synim të bllokojnë qasjen e Moskës në institucionet financiare. Sanksionet e Uashingtonit po ashtu kanë goditur edhe oligarkët rusë.rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA