Qyteti i Novgorodske në rajonin lindor ukrainas të Donetsk kishte lobuar prej kohësh që të merrte mbrapsht emrin e tij të vjetër, New York.
Tani që dhuna ka shpërthyer keqazi në këtë pjesë të vendit, ku përplasjet e shtuara me separatistët pro-rusë po rrisin frikën e një ndërhyrjeje të Moskës, ky emër nuk kalon pa u vënë re. Banorët kanë shpresë se ai do t`i ndihmojë.
“Mendojmë se ata nuk do të duan të bombardojnë një qytet me emrin Neë York. Shpresojmë shumë që emri do të ketë ndonjë ndikim”, tha Tatiana Krasko.
Kolonët gjermanë dhe pjesëtarë të Kishës Mennonite, që mbërritën në Rusi në kohën e Katerinës së Madhe, e themeluan qytetin në 1892.
Atij iu vu emri New York për shkak se e shoqja e njërit prej themeluesve, ishte me origjinë amerikane.
Në 1951-shin, autoritetet sovjetike ia ndryshuan për arsye ideologjie, por parlamenti ukrainas më vonë vendosi t`i kthente emrin e hershëm për t`u distancuar nga e shkuara sovjetike.
Novgorodske u gjend në frontin e luftës së Kievit me separatistët e mbështetur prej Moskës të cilët shpallën dy republika të “pavarura popullore” në lindje të Ukrainës pas aneksimit të Krimese nga Rusia në 2014-tën. Që prej atëherë, jeta aty, nuk ka qenë e lehte.
“Nuk e di, ketu kemi lindur e jemi rritur, por po mendojmë të largohemi. Nuk e di a ka më kuptim të vazhdojmë të qëndrojmë në këtë vend. Nuk e kemi idenë sesa do të zgjasë lufta, ndaj ndoshta më e mira është të ikim prej këtej”, tha Sergei, banor i New York.
Top Channel