Pas SHBA-së, konfirmon NATO: Sulm gjithëpërfshirës, anëtarësimi i Ukrainës i mundur

21/02/2022 13:20

Pas Shteteve të Bashkuara, edhe NATO e konfirmon se pret së shpejti një sulm gjithëpërfshirës nga ushtria ruse në Ukrainë. Kreu i aleancës së Atlantikut Verior, Jens Stoltenberg tha për programin televiziv gjerman “Tagesthemen” se “të gjitha shenjat tregojnë që Rusia po planifikon një sulm në shkallë të gjerë në Ukrainë”. “Trupat ruse nuk po tërhiqen”, siç thotë Rusia.

“Atje po shtohet trupa të reja ruse.” Ka edhe shenja se Rusia po përgatitet të inskenojë ndonjë pretekst për një sulm ushtarak në Ukrainë, ishin komentet e tij. Në lindje të Ukrainës, çdo ditë e më shumë raportohen shkelje të armëpushimit ndërsa “akuzat e rreme” për “gjenocid” në Donbas dhe evakuimi i popullsisë nga zonat e kontrolluara nga separatistët janë “shenja shqetësuese”, theksoi Stoltenberg.

Kur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje për më shumë sinqeritet në deklaratat për anëtarësimin e vendit të tij në NATO, Stoltenberg u përgjigj: “Ne po ndihmojmë Ukrainën të forcojë aftësitë e saj mbrojtëse. Ne po ofrojmë trajnime dhe pajisje dhe po ndihmojmë integrimin e saj euro-atlantik.”

Anëtarësimi në NATO është i mundur, por vendimin përfundimtar duhet ta marrin 30 vendet anëtare. Për momentin bëhet fjalë më pak për anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe më shumë për “pranimin apo jo përpjekjet të një fuqie të madhe si Rusia që t’i diktojë një vendi tjetër se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjë – me dhunë”.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell thotë se situata duhet marrë seriozisht, pasi asnjëherë më parë Rusia nuk ka grumbulluar kaq shumë trupa në kufi me vendin fqinj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA