“Mercenarët nga Shqipëria dhe Kosova po dërgohen në Ukrainë”/ Putin dërgon këshilltarin e tij të sigurisë në Ballkan

21/02/2022 17:39

Ndërsa sytë janë drejtuar nga sulmi i mundshëm i Rusisë mbi Ukrainën, presidenti rus, Vladimir Putin, po dërgon këshilltarin e tij të lartë të sigurisë në Ballkan, ku Moska është përpjekur të ruajë ndikimin kryesisht përmes aleatit të saj Serbisë.

Mediat proqeveritare në Serbi, thanë të hënën se Nikolai Patrushev, sekretari i fuqishëm i Këshillit të Sigurimit të Kremlinit, do të mbërrijë në Beograd në ditët në vijim, për bisedime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Moska nuk ka dhënë asnjë njoftim për udhëtimin e Patrushevit.

Bisedimet thuhet se do të përqendrohen në pretendimet e Moskës se “mercenarët” nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja po dërgohen për të luftuar përkrah forcave ukrainase kundër kryengritësve pro-rusë, mes frikës së një sulmi të Rusisë mbi vendin fqinj.

Zyrtarët nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja, i kanë hedhur poshtë këto pretendime të ngritura javën e kaluar nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Ka informacione se janë duke u rekrutuar mercenarë në Kosovë, Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë, për të nxjerrë jashtë ekuilibrit Rusinë dhe për t’i dërguar në vende si Donbasi”, tha ministri Lavrov sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, duke iu referuar territorit të kontrolluar nga rebelët në lindje të Ukrainës. “Tani po i verifikojmë këto informata”, tha ai.

Presidenti serb Vuçiç, mbajti të hënën një takim të zyrtarëve të lartë të sigurisë së Serbisë, të cilët thuhet se diskutuan gjithashtu, raportet mbi “mercenarët” nga Ballkani që shkojnë në Ukrainë.

Dhjetëra luftëtarë serbë kanë luftuar në të kaluarën në Ukrainën lindore, por në anën e kryengritësve pro-rusë.

Serbia ka deklaruar zyrtarisht qasjen neutrale në përplasjen Rusi-Ukrainë, që kërcënon një luftë të madhe në Evropë. Megjithatë, media e kontrolluar nga shteti i Serbisë po mbështet drejtpërdrejt Moskën, duke transmetuar propagandën ruse pa asnjë diskutim.

Ndonëse zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Serbia ka refuzuar të harmonizojë politikat e saj të jashtme me bllokun 27-vendesh dhe në vend të kësaj, ka forcuar lidhjet e saj politike, ekonomike dhe ushtarake me Rusinë dhe Kinën.

Presidenti Vuçiç, gjithnjë e më autokratik, i cili përballet me zgjedhjet e përgjithshme të 3 prillit, hapi fushatën e tij fundjavën e kaluar duke deklaruar se për sa kohë që ai të jetë në pushtet, Serbia nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO dhe do të mbajë lidhjet e saj të ngushta me Moskën dhe Pekinin.

Si për të ilustruar lidhjet në rritje mes dy aleatëve sllavë, Serbia dhe Rusia kanë formuar kohët e fundit një “grup pune” të ngarkuar me luftimin e revoltave popullore, të njohura si “revolucione me ngjyra”, që zyrtarët e lartë të sigurisë së dy vendeve i përshkruan si instrumente të perëndimit për të destabilizuar “shtetet e lira”.

Zyrtarët perëndimorë kanë akuzuar Kremlinin për ndikim “malinj” në Ballkan, duke ndihmuar në nxitjen e një valë nacionalizmi që kërcënon të zhbëjë paqen në Bosnje pas luftës së saj të viteve 1992-95, të rindezë konfliktin e armatosur rreth Kosovës që u pavarësua nga Serbia në vitin 2008 dhe të nxisë probleme politike në vendet anëtare të NATO-s, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Moska i ka mohuar vazhdimisht këto pretendime, megjithëse pohon se Bosnja, Serbia dhe Kosova, nuk duhet të anëtarësohen kurrë në NATO.

Bosnja është në mes të një krize politike. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian diskutuan të hënën në Bruksel për të kërkuar rrugët e ukjes së tensioneve dhe parandalimin e shpërbërjes së mundshme të vendit të ndarë etnikisht ballkanik. Serbët e Bosnjës, të cilët kanë mbështetjen e Serbisë dhe Rusisë, po kërcënojnë të ndahen nga federata./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA