Ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha këtë të hënë e ka konsideruar projektin e Ballkanit të Hapur si shumë të rrezikshëm për fërmerët shqiptarë.
Ai ishte i ftuar në një takim të organizuar nga sindikata e fermerëve në Lushnje, ndërsa deklaroi se me ardhjen e demokratëve në pushtet do të ketë një rikthim të fuqishëm te grantet për bujqësinë, ndërkohë që do të rritet buxheti për këtë sektor.
“Nëse Shqipëria qëndron në projektin e integrimit në BE, ne do bëjmë hapat më të para në përgatitjen tuaj për këtë bashkim dhe kjo është e domosdoshme. Sikundër ne, ju garantoj se Ballkanin e Hapur do e hedhim poshtë, pasi është një nismë shumë e rrezikshme për fermerët tanë, pasi duhet të krahasoheni me fermerë që marrin subvencione të mëdha nga qeveria serbe”, tha ai.
Pastaj, sipas tij, vendi duhet të rikthehet fuqishëm te sistemi i granteve dhe subvencioneve, duke theksuar më tej se buxheti për bujqësinë do të jetë mbi e mesataren e buxhetit të rajonit.
“Sot ne kemi një buxhet dy herë më të ulët se Kosova dhe vendet e tjera përreth. Pra ne do rrisim detyrimisht dhe që në vitin e parë buxhetin për bujqësinë”, tha ish-kryeministri.
Ai theksoi se do vazhdohet me përpjekjen për të zgjeruar sipërfaqen e tokës, jo duke çelur toka të reja, por duke mbjellë kodra e shpate me dru frutorë, pasi terreni ynë është i tillë. Berisha mendon se në Shqipëri e gjithë toka është më vlerë, duke theksuar se nismën që morën për ullinjtë, do ta vazhdojnë me drutë arrorë dhe frutorë.
“Do subvencionojmë blegtorinë dhe do vendosim subvencione për kokë. Një gjë ju garantoj, fermeri nuk do ketë asnjë taksë në shitjet e tij, shteti nuk do i marrë asnjë taksë për shitjet. Shteti do i paguajë atij të gjithë taksat që ka paguar në blerjet e tij. Ky nuk është një standard utopik, por është një standard i BE-së. Asnjë shqiptar nuk humbet nga ky standard, përkundrazi, fitohet më shumë. Fiton ekonomia”, tha Berisha.
Ish-kryeministri theksoi se për të pasur një përmirësim të bujqësisë dhe blegtorisë është shumë e nevojshme të kompensohet çdo shpenzim dhe taksë. Berisha tha se do vendoset sistemi evropian i marrëdhënies së agronomit me fermerin, pasi sot sipas tij janë me qindra fermerë që nuk e kanë shitur ende vajin e ullirit.
Top Channel