Një avion luftarak iranian është rrëzuar mbi stadiumin e një shkolle, që gjendet në një zonë të banuar në qytetin Tabriz, duke vrarë dy pilotët dhe të paktën një civil, raportojnë mediat shtetërore.
Agjencia e lajmeve IRNA sqaroi se avioni ishte i tipit F-5 dhe se autoritetet po hetojnë shkakun e rrëzimit.
Kreu i Gjysmëhënës së Kuqe në Iran u shpreh se avioni u përplas në stadiumin e shkollës, duke shtuar se një prej viktimave ishte banor i lagjes ku ndodhi incidenti.
Një zyrtar lokal i tha televizionit shtetëror se avioni u rrëzua rreth orës 09:00, sipas kohës lokale, në lagjen Monajem të Tabrizit.
Ai tha se në kohën e incidentit, shkolla ishte e mbyllur për shkak të pandemisë së koronavirusit. Avioni luftarak F-5 është prodhim amerikan dhe ishte blerë nga Irani para Revolucionit Islamik të vitit 1979.
Për shkak se për dekada Perëndimi ka vendosur sanksione ndaj Teheranit, flota ajrore iraniane nuk është përditësuar me pajisje të reja.
Forcat ajrore iraniane po ashtu përdorin avion MiG dhe Sukhoi, që prodhohen nga Rusia.
Top Channel