Ushtria ukrainase njoftoi vrasjen e një ushtari të saj mëngjesin e sotëm gjatë një sulmi nga separatistët pro-rusë.
Ngjarja ndodhi në lindje të Ukrainës thotë Asociated Press. Komanda e përbashkët për rajonet lindore njoftoi se ushtari humbi jetën si pasojë e një plage vdekjeprurëse pas një sulmi me granata. Liderët separatistë të mbështetur nga Moska shpallën mobilizimin e plotë ushtarak, një ditë pasi urdhëruan evakuimin e civilëve drejt Rusisë Jugore me argumentin se rrezikohen nga konflikti. Evakuimi ka nisur tashmë. Me valixhe në duar, burra, gra e fëmijë po kalojnë kufirin në republikën e vetëshpallur popullore të Donetskut, ndërsa nuk ndalojnë të flasin para kamerave…
Denis Pushilin, udhëheqësi i Donetskut, pohoi se ka nënshkruar tashmë dekretin për mobilizim dhe u bëri thirrje burrave “të aftë të mbajnë një armë në duart e tyre”, që t`i drejtohen shtabeve ushtarake. Menjëherë pas tij, një tjetër lider separatist, Leonid Pasechnik, nënshkroi një dekret të ngjashëm për Republikën Popullore të Luhanskut. Autoritetet separatiste njoftuan një ditë më parë planet për të evakuuar rreth 700,000 njerëz, duke përmendur frikën e një sulmi të afërt nga forcat ukrainase – një akuzë të cilën Kievi e mohoi kategorikisht. Mijëra vetë u larguan këtë mëngjes nga Donetsk dhe evakuimet, vazhdojnë. Ushtria ukrainase njoftoi se ka regjistruar 12 shkelje të armëpushimit nga separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore në mëngjes, pas 66 rasteve në 24 orët e mëparshme. Autoritetet separatiste ndërkohë pretendojnë se orët e para të ditës së sotme në disa fshatra janë lëshuar predha, sic thonë ata, nga trupat ukrainase.
Top Channel