Departamenti Australian i Mbrojtjes njoftoi se një anije e marinës kineze qëlloi me lazer njërin prej avionëve të saj patrullues, duke vënë në rrezik jetën e ekuipazhit.
Incidenti ndodhi në kohën kur avioni P-8A Poseidon pikasi dritën e lazerit në avion gjatë fluturimit në afërsi të veriut të Australisë. Episode të tilla nuk janë të rralla pasi SHBA dhe aleatët e saj akuzojnë Kinën se po përpiqet të demonstrojë fuqinë e saj ushtarake dhe kanë ndërmarrë hapa për të sfiduar ndikimin në rritje të Pekinit në Paqësorin perëndimor e gjetkë.
Autoritetet australiane sqaruan në deklaratë se rrezja lazer vinte nga anija kineze, e cila po kalonte tranzit së bashku me një tjetër përmes ngushticës së Torresit. Të dyja anijet ishin në Detin Koral, në lindje të Australisë, tha ai. Forcat australiane të mbrojtjes e cilësuan incidentin si një shkelje tejet serioze të sigurisë. “Ne e dënojmë me forcë një sjellje të tillë ushtarake joprofesionale dhe të pasigurt ushtarake. Këto veprime mund të kishin vënë në rrezik sigurinë dhe jetën e personelit tonë”, theksohej aty.
Lazerët paraqesin një problem serioz sepse kur i drejtohen një avioni ata mund të dëmtojnë pilotët ose t’i verbojnë përkohësisht, ç’ka mund të kthehet në kërcënim për sigurinë e tyre sidomos kur janë duke u ngritur apo duke u ulur.
Top Channel