Presidenti bjellorus, Aleksandër Lukashenko deklaroi se vendi i tij është gati të marrë armë bërthamore nëse përballet me ndonjë kërcënim të jashtëm, teksa tensionet rriten midis aleates së tij, Rusisë, dhe Perëndimit mbi Ukrainën.
“Nëse është e nevojshme, nëse hapa ndërmerren hapa të tillë të papeshuar e pa mend nga rivalët dhe kundërshtarët tanë, ne do të vendosim jo vetëm armë bërthamore, por armë super-bërthamore, ato të prodhimit më të fundit, në mënyrë që të mbrojmë erritorin tonë,” tha Lukashenko.
“Por nëse nuk ka kërcënime ndaj Bjellorusisë nga vendet jomiqësore, atëherë armët nukleare nuk janë të nevojshme këtu për njëqind vjet,” shtoi ai. Ish republika sovjetike vetë nuk është fuqi bërthamore, megjithatë më vonë këtë muaj do të zhvillojë një referendum mbi reformat kushtetuese që mund të legjitimojnë mbajtjen e armëve të tilla në Bjellorusi. Lukashenko, një autokrat që ka qenë në pushtet që nga viti 1994, e premtoi referendumin në vazhdën e protestave historike kundër rizgjedhjes së tij dhe akuzave të opozitës për manipulime të mëdha në votime.
Reformat kushtetuese do ta lejojnë gjithashtu Lukashenkon të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2035. Moska dhe Minsku aktualisht po mbajnë stërvitje të përbashkëta ushtarake në Bjellorusi, duke i shtuar edhe më shumë shqetësimet se Rusia po planifikon ta përshkallëzojë konfliktin në Ukrainë.
Top Channel