Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri është në kulmin e vet.
Vlera e kredisë së re për shtëpi shënoi një vlerë rekord në vitin që lamë pas. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bankat dhanë 43.4 miliardë lekë (360 milionë euro) kredi me qëllim financimin e blerjes së banesave nga individët, një rritje me 64% krahasuar me një vit më parë.
Sipas, kryetarit të shoqatës për pasuritë e paluajtshme ky trend është nxitur nga disa faktorë:
Reinaldo Pipiria: “Bankat kanë pasur norma shumë të ulëta interesi dhe ka qenë me shumë leverdi për të marrë kredi këto kohë. Nga krahu tjetër depozitat janë në nivele rekord nëpër banka dhe sistemi ka para që të qarkullojë. Gjithashtu shihet si mënyrë investimi blerja e shtëpive, sepse ka kthime shumë të larta.”
Sipas tij, më së shumti po investohet në kryeqytet dhe në bregdet:
Reinaldo Pipiria: “Vazhdohet më së shumti të investohet në kryeqytet, nga diaspora, por edhe nga familjet e reja. Shumë vëmendje po marrin edhe qytetet bregdetare, ku bie në sy Durrësi dhe Vlora, për shkak edhe të projekteve të reja infrastrukture që po bëhen në këto zona.”
Sipas të dhënave që Top Channel ka siguruar nga QKB volumet e larta të transaksioneve në pasuritë e paluajtshme kanë sjellë edhe një rritje të numrit të bizneseve në këtë sektor. Në vitin 2021 janë shtuar 920 subjekte në sektor, gati 10% e totalit.
Top Channel