Top Channel ka siguruar pamjet e tragetit që po vijon betejën me flakët pasi u përfshi nga zjarri në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Në bordin e anijes ndodheshin 239 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit. Nga numërimi që i është bërë pasagjerëve në varkat e shpëtimit, është raportuar se janë 11 të zhdukur. Ndërkohë 2 persona që dyshohet të jenë me origjinë bullgare janë gjetur të bllokuar brenda dhe po përpiqen t’i nxjerrin ndërsa dëgjoheshin shpërthime nga garazhi i anijes. Kapiteni i tragetit ka kërkuar dhe urdhëruar braktisjen e saj dhe pasagjerët hipën menjëherë mbi varkat e shpëtimit.Në vendngjarje mbërritën menjëherë tre anije të rojës bregdetare greke, rimorkiatorë dhe anije të tjera që ndodheshin pranë.
Ndërkaq, janë nisur në ndihmë dy anije te rojës bregdetare shqiptare dhe një rimorkiator. Operacioni i shpëtimit ndiqet nga grekët ndërsa forcat tona janë në ndihmë duke qëndruar në largësi të anijes. Sipas përfaqësuesve të forcave të armatosura, anijet shqiptare janë në gatishmëri dhe në ndërhyrje të shpejtë. Deri tani nuk ka qenë nevoja e ndërhyrjes. Anija është zhvendosur dhe ndodhet midis Himarës e Portopalermos.
Top Channel