Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitchko është shprehur se Ukraina ka një vlerësim të ndryshëm nga i presidentit amerikan, Joe Biden, në lidhje me pushtimin rus të vendit.
Duke folur për BBC-në në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Klitschko tha se duke iu referuar informacioneve të ardhura nga shërbimet e inteligjencës në Ukrainë, mësohet se trupat ushtarake ruse vazhdojnë të jenë në të njëjtat pozicione si më parë përgjatë kufirit me Ukrainën.
Ai theksoi se tani ishte më i shqetësuar se sa disa javë më parë, duke shtuar se civilët në Ukrainën lindore ishin shumë të tensionuar pas një sulmi në një kopsht fëmijësh në lindje të vendit.
Klitschko tha se diplomacia ende nuk kishte funksionuar për të zgjidhur krizën, por ai shpresonte se ajo do të funksiononte në ditët në vijim.
“Ne shpresojmë që në Konferencën e Sigurisë në Mynih të gjejmë një zgjidhje dhe një zgjidhje demokratike është prioriteti kryesor për ne, për Ukrainën. Demokracia është vetëm një rrugë në këtë konflikt”, tha ai.
Nga ana tjetër, ministria ruse e Mbrojtjes tha të premten se po tërheq më shumë tanke dhe automjete të blinduara nga zonat afër kufirit të Ukrainës. Sipas ministrisë, 10 avionë luftarakë Su-24 do të vendosen nga gadishulli i aneksuar i Krimesë në rajone të tjera.
Kjo tërheqje e trupave ruse është e fundit në një seri tërheqjesh të tjera të shpallura këtë javë që fillimisht nxitën shpresën për një ulje të tensioneve mes Rusisë dhe perëndimit mbi Ukrainën.
Ndërsa udhëheqësit perëndimor kanë deklaruar se nuk ka prova bindëse që tregojnë për tërheqje të trupave ruse.
Të enjten, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi se Rusia ka “rritur numrin e trupave edhe më shumë” në zonat pranë kufirit ukrainas.
Top Channel