Policia filloi arrestimin e protestuesve dhe tërheqjen e kamionëve të premten, 18 shkurt, në një përpjekje për të thyer bllokimin tre-javor të trafikut të kryeqytetit të Kanadasë nga qindra kamionistë të zemëruar për kufizimet lidhur me Covid 19.
Duke punuar ngadalë dhe në mënyrë metodike, policia i çoi protestuesit me pranga nëpër rrugët e sapo mbuluara me borë të Otavës.
Operatorët e kamionëve – të veshur me maska skijimi në ngjyrë jeshile, me etiketat e kompanive të mbuluara – mbërritën nën shoqërimin e policisë dhe filluan të punojnë për heqjen e platformave të mëdha, tendat dhe automjete të tjera të parkuara afër njëra tjetrës.
Ndërkohë që disa protestues u dorëzuan, shumë prej tyre mbetën sfidues gjatë aksionit të policisë.
“Liria nuk ishte kurrë falas. Çka nëse na vendosin prangat dhe na futin në burg”, tha shoferi i kamionëve Kevin Homaund, nga Montreali.
Policia bëri lëvizjen e parë për t’i dhënë fund bllokadës të enjten vonë me arrestimin e dy drejtuesve kryesorë të protestës.
Ata gjithashtu mbyllën pjesën më të madhe të zonës së qendrës së qytetit për të huajt për t’i penguar ata të vijnë në ndihmë të protestuesve të vetëquajtur ‘Konvoji i Lirisë’.
Kryeqyteti përfaqësonte bastionin e fundit të lëvizjes pas tre javësh demonstratash dhe bllokadash që mbyllën pikat kufitare me SHBA-në, shkaktuan dëme ekonomike për të dy vendet dhe krijuan një krizë politike për kryeministrin, Justin Trudeau.
Ata gjithashtu tronditën reputacionin e Kanadasë për civilizim.
Gjatë javëve të fundit, autoritetet kishin hezituar të lëviznin kundër shumë prej protestuesve anembanë vendit, pjesërisht nga frika e dhunës. Demonstratat kanë tërhequr ekstremistë të krahut të djathtë dhe veteranë, disa prej tyre të armatosur.
Demonstratat në të gjithë vendin nga protestuesit në kamionë, traktorë dhe shtëpi motorike fillimisht u përqendruan në kërkesën e Kanadasë për vaksinim për kamionistët që hynin në vend, por shpejt u shndërruan në një sulm të gjerë ndaj masave paraprake për Covid 19 dhe qeverisë së Trudeau.
Bllokada më e madhe kufitare, në Urën e Ambasadorit midis Windsor, Ontario dhe Detroit, ndërpreu fluksin e pjesëve të automjeteve midis dy vendeve dhe e detyroi industrinë të kufizonte prodhimin. Autoritetet hoqën bllokadën fundjavën e kaluar pasi arrestuan dhjetëra protestues.
Top Channel