Klasat kolektive në vendin tonë janë shumë të përhapura për shkaqe të ndryshme. por shpesh për prindërit ato janë kthyer në një problem të madh.
Pesë prindër nga fshati Kolanec në Maliq ankohen në Fiks Fare se fëmijët e tyre mësojnë në një klasë kolektive dhe mësimin ua bën vetëm një mësuese e ciklit fillorë. Bëhet fjalë për gjashtë fëmijë, që nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë. Ata kërkuan ndihmën e Fiksit, pasi kanë bërë disa tentativa në ZVA Maliq ku kanë kërkuar një mësues shtesë për lëndët e matematikës dhe të gjuhës shqipe, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. ” Ne kemi kërkuar mësues shtesë për fëmijët tanë dhe kërkesën tonë e kemi depozituar në instancat përkatëse që në datë 27 shtator. Na përcollën me fjalët që do na e sjellin por deri më sot fëmijët tanë nuk kanë parë ndonjë mësues të ri” shprehen prindërit.
Pyetjes nëse fëmijët kanë hasur probleme gjatë procesit arsimor në mënyrën e mësimdhënies së mësueses, prindërit tregojnë se mësimi fillon në 8 e 30 dhe mbaron në 12 e 30 “një mësues i vetëm nuk ka çfarë të bëj në aq kohë, thjesht u thotë hapni librat merrni këtë detyrë dhe kaq” pohojnë njëzëri. “Na kanë sjellë një mësues për lëndën e fizkulturës një herë në javë, ne kemi nevojë për mësues të lëndëve kryesore. Vetë mësuesja aktuale na ka thënë gjeni një mësues tjetër, sepse nuk i përballon dot. Ne kemi nevojë për mësues shtesë nuk duam t’i transferojmë fëmijët në shkollë tjetër në Maliq dhe të mbyllet shkolla” shprehen prindërit për Fiksin.
Gazetarët e Fiksit panë nga afër mjedisin e shkollës, ku mësuesja shprehet se ndjen vështirësi në dhënien e mësimit me klasa kolektive. ” një mësues shtesë sidomos për lëndët bazë matematik, biologji e kimi duhet, pasi dhe vetë nxënësit ndjejnë vështirësi në këto lëndë” pohon mësuesja.
Fiksi merr informacion edhe në ZVA Maliq, ku drejtoresha Gentjana Braho fillimisht falënderoi gazetarët në ngritjen e problemit dhe premtoi se do u kthente një përgjigje zyrtare si dhe një zgjidhje për nxënësit.
Në përgjigjen e saj Zyra Vendore Arsimore Maliq shpjegoi se në bazë të udhëzimit të ministrisë më datën 28 korrik 2021, kur ka më shumë se 10 nxënës mësimi zhvillohet i ndarë vetëm në lëndët: Gjuhë Shqipe, Gjuhë e huaj dhe Matematikë.
Duke qenë se në shkollën ‘Teki Kolaneci’ numri i nxënësve është më i vogël se 10 në bazë të vendimit nuk çohen mësues shtesë. Për këtë arsye nxënësve u ofrohet mundësia e ndjekjes së procesit arsimor në shkollën 9- vjeçare “Agimi” në Maliq.
ZVA Maliq në zbatim të VKM nr 682 për përdorimin e fondeve publike për transportin e mësuesve dhe nxënësve që mësojnë jashtë vendbanimit, siguron pagesën për transportin. Por deri më sot vetëm një prind e ka transferuar fëmijën në shkollën e Maliqit me shpenzimet personale, kurse fëmijët e tjerë vazhdojnë të mësojnë në klasën kolektive në Kolanec.
Top Channel