Mbi 50 motora janë bllokuar dhe 30 persona janë të shoqëruar në komisariatin e Divjakës, pas një aksioni të policisë rrugore.
Mungesa e dokumentacionit ligjor për drejtimin e këtyre mjeteve motorike ka sjellë ndalimin e dhjetëra personave të Divjakës. Disa prej tyre pohojnë se policia i ka ndjekur deri në banesa, madje edhe nëpër tokat bujqësore për t’i penalizuar.
Prej dhjetëra vitesh, ata kanë qarkulluar me motora pa u shqetësuar nga policia rrugore edhe kur ishin në dijeni për shkeljet e bëra në mungesën e dokumentacionit apo të lejeve të qarkullimit. Banorët pohojnë se kanë pasur mbështetjen e deputetit Erion Brace për të mos u penalizuar nga policia por pas rezultatit të votave të 25 prillit, gjithcka ndryshoi.
Deputetja e PD për Divjakën, Ilda Dhori ka shkuar në komisariatin e policisë për tu njohur me situatën. Sipas saj, ligji duhet zbatuar, por më parë këta njerëz duhej të lajmëroheshin për rrugët që duhej të ndiqnin në plotësimin e dokumentacionit.
Të afërmit familjarë të të ndaluarve, por edhe disa pronarë të këtyre motorrave kanë shkuar në dyert e policisë për të nisur procedurat e pajisjes me dokumentacion të motorave. Këto mjete përdoren nga banorët e zonës kryesisht për punët në bujqësi por edhe për të shkuar në tokat që kanë në pronësi.
Nga ana tjetër, në Divjakë është rritur numri i aksidenteve me vdekje të drejtuesve të motorave pa llogaritur numrin e të plagosurve.
Top Channel