Bisedimet për Ukrainën/ Kamala Harris: Të hapur për diplomaci, por Rusia do ketë pasoja të rënda nëse ndërrmer veprime agresive

18/02/2022 23:26

Shtetet e Bashkuara dhe aleanca e NATO-s vazhdojnë përpjekjet diplomatike për të ndaluar një sulm të mundshëm rus ndaj Ukrainës.

Zëvendës presidentja amerikane, Kamala Harris, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ndodhen në Evropë për të dëshmuar vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara ndaj parimeve të aleancës veri-perëndimore, raporton VOA.

Sipas SHBA-së dhe NATO-s, Rusia nuk mbajti premtimin për tërheqjen e trupave nga kufiri i saj me Ukrainën ndërsa paralajmërojnë masa të ashpra ndaj Moskës në rast të ndonjë sulmi.

Nënpresidentja amerikane Kamala Harris takoi sot në Mynih Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg. Në këtë takim ajo rikonfirmoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj parimeve të aleancës:

“Gjithmonë do të jemi të përkushtuar ndaj parimit të integritetit territorial dhe sovranitetit. Ne jemi të hapur për diplomacinë që lidhet me diskutimet që kemi pasur me Rusinë. Por jemi gjithashtu të përkushtuar që të sigurohemi se do të ketë pasoja të rënda në aspektin ekonomik, nëse Rusia ndërmerr veprime agresive”.

Përfaqësuesja e lartë amerikane ndodhet në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën e Mynihut për Siguri.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se me Bidenin do të bisedojnë në telefon udhëheqësit e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Rumanisë, Britanisë, Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Administrata e Presidentit Biden ka thënë se nëse Rusia ka vullnet ende është e mundur arritja e një zgjidhjeje diplomatike, por Uashingtoni dhe aleatët evropianë thonë se janë gjithashtu të përgatitur të ndërmarrin masa të ashpra nëse Moska zgjedh të sulmojë fqinjin e saj.

Paralajmërimet vijnë ndërsa Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Organizatën për Siguri dhe Bashpëpunim në Evropë tha se numri i trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën mund të shkojë deri në 190 mijë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se në këtë periudhë krize, Amerika e Veriut dhe Evropa po bëjnë më shumë së bashku sesa kanë bërë për vite me radhë.

Në Konferencën e Mynihut për siguri ndodhet edhe Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, i cili tha se gjithçka që Uashingtoni ka parë gjatë 24 deri 48 orët e fundit në kufirin rus me Ukrainën janë pjesë të skenareve për krijimin e provokimeve të rreme, që do të krijonin pretekste për kundërpërgjigje.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA