Kjo magazinë është vetëm një nga hot spotet e Elbasanit. Uzina e çimentos që ndodhet pak më poshtë dhe metalurgjiku, e kanë kthyer këtë qytet ndër më të ndoturit. Kombinati metalurgjik “Çeliku i Partisë” në Elbasan ishte një nga veprat më të rëndësishme industriale në Shqipëri, ndërtuar në vitet `70.
Ai ishte i aftë të përpunonte mbi 1 milion tonë mineral hekuri dhe për të prodhuar rreth 250,000 tonë hekur e tuba çeliku në vit. Ky kompleks përfshinte ndërtimin e 520 objekteve, 47 km hekurudhë e brendshme dhe 22 km rrugë automobilistike. Në këtë gjigant u punësuan rreth 12.000 punëtorë, duke e kthyer në kompleksin më të madh industrial në vend.
Me përmasa po kaq të mëdha është edhe ndotja që ky kompleks la pas. Studime të ndryshme të kryera nga fakulteti i shkencave të natyrës përgjatë viteve 2012-2015 kanë gjetur se ndotjea në tokë pranë zonës së ish metalurgjikut, ku ndodhet Kurumi sot, është me përmbajtje të metaleve të rënda me dhjetra deri ne qindra here më e lartë se standardi apo norma.
Konkretisht nga të dhënat e përftuara nëpërmjet matjes përmbajtja e Nikelit shkon nga 400 deri në 28,000 ppm në zona të veçanta. Ose thënë ndryshe, deri në 400 herë më i lartë se kufiri i lejuar prej 75 ppm i Direktivës Europiane. Plumbi po ashtu u gjet në sasinë 400 deri në 800 ppm, por në disa zona të veçanta shkon në nivele 5,000- 20,000 ppm.
Zinku u gjet 17 deri në 70 herë më i lartë se norma, Hekuri u gjend në sasira që variojnë nga 14,000 deri në 80,000 ppm. Bakri në disa zona u gjet deri në 20,000 ppm. Pra, në nivele deri në 150 herë më të larta se standardi i BE-së që është 140 ppm. Kromi po ashtu gjendet në sasira mjaft të larta, deri në 2000 ppm. Madje, edhe 6 km larg nga burimi i ndotjes.
Rezultatet e larta të ndotjes u rikonfirmuan sërish gjatë monitorimit të kryer nga disa ekspertë mjedisorë. Në mars te vitit 2019 ata analizuan cilisinë e ujin sipërfaqësor në afërsi të urës së Polisit ne Labinot Fushë, përpara hyrjes në qytetin e Elbasanit dhe një pikë tjetër mostrimi u vendos në Bradashesh, në afërsi të ish Kombinatit Metalurgjik, rreth 5 km në perëndim të qytetit të Elbasanit.
Njëkohësisht, tri mostra toke të punueshme u morën për analiza kimiko-fizike: dy mostra në Labinot Fushë, përfshirë tokën që është ujitur nga lumi dhe një mostër toke në Bradashesh. Rezultatet treguan se tokat bujqësore në këtë zonë janë me nivele të larta të metaleve të rënda dhe dukshëm mbi vlerat kritike të vendosura nga guidat ndërkombëtare. Fjala është për lëndë si kadmium, nikel, bakër dhe krom në tri pikat e mostrimit të tokës, dhe bakri në tokën e ujitur në Labinot Fushë si dhe në tokën në Bradashesh. Këto të dhëna tregojnë një potencial kërcënues për shëndetin e njerzve të komuniteteve vendore si dhe të mjedisit në përgjithësi.
“Këtu bëhet fjalë për ndotje katastrofike, ndoshta ndër më të lartat në botë. Është e kontaminuar cdo gjë, toka, uji i pijshëm, ushqimet. Ne analizuam vezët e pulave dhe ata kanë dalë të pagrënshme” u shpreh Ahmet Mehmeti, ekspert mjedisi.
Top Channel