Rusia dëbon zv/shefin e misionit amerikan në Moskë

17/02/2022 18:39

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Rusia ka dëbuar zëvendësshefin e misionit në Ambasadën e SHBA-së në Moskë, Bart Gorman.

Një zëdhënës i ambasadës konfirmoi dëbimin të enjten, por nuk dha detaje se përse është ndërmarrë kjo masë.

Zëvendëssekretarja për Media e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, e cilësoi dëbimin si “të paprovokuar”.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti tha se Gorman ishte i dyti në komandë në Ambasadën e SHBA-së në Moskë dhe se kishte një vizë të hapur.

Sipas agjencisë, ai ka kaluar më pak se tre vjet në Moskë.Ky zhvillim vjen në kohën e tensioneve të larta midis Uashingtonit dhe Moskës, për shkak të grumbullimit të trupave ruse në zonat kufitare me Ukrainën.

Zyrtarët amerikanë, së bashku me disa zyrtarë të tjerë perëndimorë, paralajmërojnë se pushtimi rus i Ukrainës mund të jetë afër. Moska mohon se ka plane të tilla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA