Dikur një nga ndërmarrjet që mbante në këmbë bujqësinë me plehrat fosfate, sot është kthyer në një gërmadhë vdekjeje që po helmon të gjithë zonën përreth.
Superfosfati i Laçit ndezi oxhakët në vitin 1967 dhe përbëhej nga një fabrikë e acidit sulfurik, një fabrikë fosfati për të prodhuar pleh për bujqësinë e më pas iu shtua fabrika e pasurimit të bakrit.
Kjo industri prodhonte 180 mijë ton superfosfat në vit, që ndikoi djeshëm në rritjen e prodhimit bujqësor. Por, aktiviteti u shoqërua me procese të dhunshme të ndotjes në mjedis.
E gjithë zona përreth, deri lart në mal, ishte e zhveshur krejtësisht nga bimësia për shkak të shirave acidë. Llumrat e proceseve teknologjike së bashku me elementë të tjerë të rrezikshëm, kalonin përmes kanalit të acidit dhe derdheshin të patrajtuara në det.
“Këtu nuk kishte anjë pemë, asnjë bimë. Mali i gjithi ishte i zhveshur” u shpreh Sali Dervishi, banor i Laçit
Ndonëse nuk funksionon prej 25 vitesh, supefosfati në Laç është kthyer në një rrënojë toksike që po helmon mjedisin dhe ka marrë jetë njerëzish.
Ish-superfosfati shtrihet në një sipërfaqe prej 38 hektarësh. Sipas një studimi të bërë nga PNUD në vitin 2000, në këtë hapësirë kanë mbetur stok pas ndërprerjes së aktivitetit rreth 200 tone flor silikat natriumi, 40 ton asbest, 50 ton vanadium pentaoxide, 2000 ton pirit dhe 300.000 ton mbetje të tjera të rrezikshme përfshirë lëndë radioaktive. Asokohe analizat e kryera nga UNEP në tokën përreth treguan nivele të konsiderueshme arseniku dhe bakri, lëndë jashtëzakonisht të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe ekosisteme ujore.
Analizat zbuluan se arseniku dhe bakri për shkak të shirave kishin depërtuar në ujërat nëntokësorë duke i kontaminuar. Madje ekspertët dyshonin se në fushën që ndodhet poshtë fabrikës së Laçit, si pasojë e këtij procesi ishte ndotur edhe uji i pijshëm.
Për shkak se ndotja po përhapej përreth, PNUD sugjeroi asokohe ndërhyrje emergjente. Kostoja e rehabilitimit të zonës do të kushtonte 16.7 mln euro.
E izoluar krejtësisht nga bota, Shqipëria komuniste e asaj periudhe kishte vetëm një qëllim: të rriste sa më shumë kapacitetet prodhuese, ndërsa për efektet anësore në mjedis apo ndikimin në shëndetin e popullatës askush nuk donte tia dinte.
“Asokohe nuk kishte këtë lloj ndjeshmërie për mjedisin dhe ne pothuajse nuk e dinim, nuk merreshim fare me ndikimin në mjedis. Bënim vetëm një trajtim minimal të mbetjeve, vetëm një shplarje” u shpreh Magdalena Cara, Ish-teknologe/ Superfosfati Laç
Për shkak të proceseve të forta dhe ekspozimit ndaj reagentëve mjaft të dëmshëm në shëndet, punëtorët e kësaj uzine merrnin si antidot gjysëm litër qumësht. Por, kjo nuk mjaftonte për ti ruajtuar nga ekspozimi i lartë.
“Kemi pasur edhe raste fatale, ne na vdiq një punëtor i magazinave me virma në mushkëri” u shpreh Magdalena Cara, Ish-teknologe/ Superfosfati Laç
Top Channel