Pas disa ditë tensionesh dhe spekulimesh për mundësinë e një pushtimi të afërt nga Rusia, në orët e fundit, tonet rreth krizës ukrainase duket se janë ulur përkohësisht me perspektiva të reja për diplomacinë.

Në përgjithësi, situata mbetet shumë e tensionur dhe e vështirë për t’u parashikuar, por me gjasë zbutja e qëndrimeve fillestare nga palët, mund të shmangë rrezikun e një lufte që është parë prej kohësh në prag të derës, veçanërisht nga inteligjenca amerikane.

Sinjali më i rëndësishëm për ndalimin e luftës qoftë edhe përkohësisht erdhi nga një takim në Moskë mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe ministrit të tij të jashtëm, Sergei Lavrov, i transmetuar në televizionin shtetëror rus.

Ata ishin ulur përballë njëri-tjetrit në një distancë të madhe, rreth një tavoline të gjatë, me qëllim ruajtjen e distancës fizike për shkak të pandemisë, Putin dhe Lavrov i lanë shumë vend improvizimit, duke mbajtur një bisedë të shkurtër dhe të përgatitur qartë paraprakisht.

Ministri i Jashtëm i konfirmoi Putinit se rruga e diplomacisë është ende e hapur dhe e zbatueshme.

Mendoj se ka ende disa mundësi nga ana jonë, do të propozoja vazhdimin dhe intensifikimin e ndjekjes së tyre”, tha ai.

Putin u përgjigj, me një “dakordësi” lakonike, pa preferuar të japë më shumë informacione të tjera.

Megjithatë, të dy ranë dakord për nevojën për të vepruar shpejt, duke i kujtuar njëri-tjetrit se duan të arrijnë një zgjidhje sa më të shpejtë të jetë e mundur dhe se nuk kanë kohë të humbin për “çështje që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme”, tha Lavrov.

Putin më vonë u takua me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, i cili i konfirmoi përfundimin e disa manovrave të rëndësishme ushtarake rreth kufijve me Ukrainën.

Stërvitjet kishin nisur javët e fundit me synimin për të ushtruar presion ndaj vendeve perëndimore se Rusia po rrezikon pushtimin e territorit ukrainas. Të martën në mëngjes, Rusia konfirmoi një tërheqje të trupave ushtarake përgjatë kufirit, ndërsa po zhvillon ende stërvitjen në disa zona të tjera.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara mbeten shumë skeptike, duke komentuar takimin mes Lavrov dhe Putin, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se për momentin nuk ka asnjë shenjë se Rusia është me të vërtetë e gatshme për të ndjekur një zgjidhje diplomatike.

Ne nuk kemi vënë re asnjë shenjë reale që Rusia mund ta çtensiononte situatën”, tha ai.

Gjithashtu të hënën, në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, u mbajt një takim mes presidentit Volodymyr Zelensky dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz për të diskutuar në lidhje me krizën. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, Zelensky aludoi për mundësinë që procesi i futjes së Ukrainës në NATO, i parashikuar në Kushtetutën e vendit, mund të vonohej më tej, gjë e cila do të çonte drejtpërdrejt në pranimin e një prej kushteve të vendosura nga Rusia, në kundërshtim me një “zgjerim” të aleancës ushtarake mes vendeve perëndimore.

Një zëdhënës i Presidentit sqaroi më vonë se Ukraina nuk synon dështimin në angazhimin e saj për anëtarësim në NATO, pasi fjalët e Zlensky-t u interpretuan nga disa analistë dhe media si një pranim de facto i kushteve ruse.

Scholz në vend të kësaj kujtoi se “nëse Rusia shkel përsëri integritetin territorial të Ukrainës, ne do të dimë se çfarë do të bëjmë. Në rast të një përshkallëzimi ushtarak, ne do të jemi të gatshëm të vendosim sanksione të rënda ekonomike dhe gjithpërfshirëse, në koordinim me aleatët”.

Ditët e fundit, Shtetet e Bashkuara, mbështetën të njëjtën linjë, duke iu referuar mbi të gjitha gazsjellësit Nord Stream 2, përmes të cilit Rusia zgjeron furnizimin e saj me gaz në Evropë.

Këtë të martë Scholz do të jetë në Moskë për të takuar Putinin, në një nga takimet më të rëndësishme të ditëve të fundit, pas atij që u zhvillua javën që kaloi mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe presidentit francez Emmanuel Macron. Mësohet se takimi do të zhvillohet afër ditës së mërkurë, 16 shkurt, ditë që inteligjenca amerikane ka parashikuar mundësinë e një pushtimi të Ukrainës.

Rusia kritikoi Shtetet e Bashkuara për ngritjen e një alarmi fals të situatës përgjatë kufirit me Ukrainën.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Joe Biden pati një bisedë të gjatë telefonike me kryeministrin britanik Boris Johnson të hënën në darkë, ku të dy liderët, ranë dakord për të vazhduar me rrugën diplomatike, por ata nënvizuan se të dy vendet ishin të gatshme të vendosnin sanksione të rënda në rast të një pushtimi, por që nuk do të ndërhynin ushtarakisht.

Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar gjithashtu qeverisë së Ukrainës një kredi miliarda dollarëshe për ta ndihmuar në kapërcimin e efekteve të krizës aktuale në ekonomi.

SHBA i bëri thirrje qytetarëve amerikanë të largohen nga Ukraina, por edhe nga vendet fqinje si Transinistria dhe Bjellorusia, për shkak të aktiviteteve ushtarake të Rusisë përgjatë kufirit ukrainas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA