Tiranë, 15 shkurt 2022 – Në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u evidentuan pikat kryesore të Planit Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTI në Shqipëri 2021-2027.
Plani i Veprimit synon të sigurojë një shoqëri gjithëpërfshirëse, jo-diskriminuese dhe të sigurt për personat LGBTI në Shqipëri me akses më të mirë në shërbimet publike dhe mbështetje të specializuar, përmirësim të kuadrit ligjor dhe zbatimit, si dhe rritjes së aksesit në sistemin e drejtësisë të personave LGBTI.
Në fjalën e saj, Ministrja Ogerta Manastirliu theksoi: “Shqipëria kë bërë progres të rëndësishëm në vitet e fundit lidhur me mbrojtjen e të drejtave të personave LGBTI+, kjo, e theksuar edhe në raportet ndërkombëtare. Por pavarësisht arritjeve, jemi të ndërgjegjshëm se beteja kundër steriotipeve dhe qëndrimeve paragjykuese është e gjatë dhe e vështirë. Prezantimi i këtij plani, i cili synon më shumë drejtësi dhe barazi në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të komunitetit LGBTI+, është një dëshmi e faktit se përpjekjet për më shumë të drejta dhe mosdiskriminim për këtë komunitet janë të mundura përmes angazhimeve konkrete, multisektoriale dhe që kërkojnë përfshirjen e të gjithë aktorëve”.
Në fjalën e tij, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë Luigi Soreca, theksoi se: “Plani Kombëtar i Veprimit LGBTI për vitet 2021-2027 përfaqëson një arritje të madhe për Shqipërinë në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të grupeve të cenueshme. Ai ka një rëndësi të madhe politike edhe për agjendën e integrimit të Shqipërisë në BE. Një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian duhet t’u përmbahet parimeve themelore të BE-së. Respektimi i të drejtave themelore, toleranca dhe pranimi i diversitetit janë të panegociueshme. BE-ja, Delegacioni i BE-së dhe unë do të vazhdojmë përfshirjen dhe mbështetjen tonë për LGBTI-në, si dhe do të ndjekim zbatimin e Planit të Veprimit”
Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë Jutta Gützkow, nënvizoi rëndësinë e sigurimit të një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe tolerante që respekton të drejtat dhe liritë e komunitetit LGBTI në përputhje me vlerat dhe standardet evropiane. “Kam kënaqësinë të shoh që ngjarja e sotme mbledh së bashku Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, përfaqësues nga ministritë dhe institucionet e tjera shtetërore dhe organet e barazisë, si dhe aktorë të shoqërisë civile që punojnë së bashku për barazi dhe një shoqëri gjithëpërfshirëse. Pjesëmarrja juaj në aktivitetin e sotëm dëshmon përkushtimin tuaj për të bashkuar forcat për një zbatim të suksesshëm të Planit Kombëtar të Veprimit LGBTI 2021-2027.”, theksoi Gützkoë gjatë fjalës së saj.
Në fjalën e tij Përfqësuesi in UN Ëomen në Shqipëri Michele Ribotta, theksoi se “Plani Kombëtar i Veprimit për LGBTI është një hap tjetër drejt ndërtimit të një shoqërie gjithëpërfshirëse në të cilën çdo individ – pavarësisht nga identiteti gjinor dhe orientimi i tij seksual – mund të jetojë një jetë pa frikë, diskriminim dhe përjashtim. Shqipëria po dërgon një sinjal të fortë në mbështetje të tolerancës dhe diversitetit, duke mos lënë askënd pas”.
Plani i ri Kombëtar i Veprimit për personat LGBTI, i hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me ekspertizën e ofruar nga projekti i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Promovimi i diversitetit dhe barazisë në Shqipëri”, përcakton prioritetet kryesore dhe parashikon përpjekjet e përbashkëta të aktorëve të ndryshëm për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e komunitetit LGBTI në vend. Ai pasqyron vëmendjen e veçantë që Qeveria e Shqipërisë dhe të gjithë aktorët e tjerë të fushës po i kushtojnë zhvillimit të një shoqërie të bazuar në të drejtat, meritat dhe vlerat profesionale të çdo individi.
Gjatë diskutimit mbi Planin e Veprimit me përfaqësues të autoriteteve publike, organeve të barazisë, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, u theksuan rolet specifike të secilit aktor në sigurimin e gjithëpërfshirjes së Planit dhe zbatimin efikas të tij.
Në betejën kundër stereotipeve dhe qëndrimeve paragjykuese patriarkale, Plani i Veprimit përcakton nevojën për angazhimin e burimeve të ndryshme dhe marrjen e një sërë veprimesh të mirëkoordinuara midis të gjithë aktorëve kryesorë që synojnë ndryshimin rrënjësor të mentalitetit në shoqërinë tonë. Ai fokusohet tek informimi, edukimi dhe ndërgjegjësimi për të pranuar të gjithë ashtu siç janë dhe siç ndihen përsa i përket identitetit të tyre gjinor ose orientimit seksual.
Plani Kombëtar i Veprimit për personat LGBTI në Shqipëri u përgatit dhe u prezantua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me mbështetjen e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal II” , një nismë bashkëpunimi që synon të mbështesë Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në përmbushjen e standardeve të Këshillit të Evropës dhe acquis të Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të zgjerimit.
Top Channel