Gjykata e Lezhës ka vendosur masën “burg pa afat” për Edmond Perdodën, i cili akuzohet si një nga autorët për vrasjen e dyfishtë që ndodhi dy vite më parë në Lalm të vjetër.
Ermond Perdoda, i cili u vu në pranga para disa ditësh, akuzohet për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Edmond Perdoda ishte shpallur në kërkim për vrasjen e dy personave bashkë me vëllanë pas një konflikti pronësie. Në banesën ku ai qëndronte janë sekuestruar një kallashnikov, municion luftarak dhe një sasi baruti.
Ai është dënuar edhe më parë në Greqi për vrasje dhe në Shqipëri për armëmbajtje pa leje dhe shkatërrim prone.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë lëshoi urdhër ndalimi ndaj tij, pasi në bashkëpunim me vëllanë e tij Aleksandër Perdoda vranë me armë zjarri shtetasit Kol Murranin dhe Preng Simoni në vitin 2020, pas një konflikti për pronat.
Vëllai u arrestua pak ditë pas vrasjes, ndërsa Edmond Perdoda arriti t’ia mbathte.
Kol Murrani bashkë me shokun e tij, Preng Simoni kishin dalë që në mëngjes për të shkuar tek shtëpitë e vjetra. Ata u gjetën në një kodër nga i biri i një prej viktimave që ka lajmëruar dhe Policinë.
Top Channel